Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael ka ndaluar pjesëmarrjen e partive arabe në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, ndërsa ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin e partisë së ekstremit të djathtë hebre, ”Otzma Yehudit”, njoftoi sot transmetuesi Kan.
Komisioni hodhi poshtë kërkesën për ndalimin e pjesëmarrjes së partisë ”Otzma Yehudit”, e drejtuar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra politike.
Komisioni votoi dje me 18 vota pro dhe 5 kundër për përjashtimin e partisë islamike konservatore ”Raam”, të drejtuar nga Mansour Abbas, si dhe të listës së përbashkët zgjedhore që përfshin partitë ”Hadash”, ”Taal” dhe ”Balad”.
Nga zgjedhjet u përjashtuan gjithashtu edhe disa deputetë individualë.
Kërkesat për përjashtimin e këtyre partive përfshinin akuza se ato mbështesnin luftën e armatosur kundër Izraelit.
Partitë e prekura e dënuan vendimin, duke e cilësuar atë si “politik, racist dhe antidemokratik”
Vendimet për listat zgjedhore nuk janë ende përfundimtare dhe mund të kundërshtohen në Gjykatën e Lartë.
Sipas vlerësimeve të raportuara, konsiderohet e mundshme që gjykata t’i rrëzojë këto vendime.
Sondazhet e opinionit sugjerojnë se as kampi i Benjamin Netanyahut dhe as ai i kundërshtarëve të tij nuk mund të mbështetet me siguri në një shumicë absolute në zgjedhjet vendimtare të 27 tetorit.
Partia ”Raam”, nëse lejohet të marrë pjesë, mund të luajë një rol kyç në përcaktimin e shumicës parlamentare.
Netanyahu dhe aleatët e tij politikë kanë vënë vazhdimisht në pikëpyetje pjesëmarrjen e partive arabe në aleancat politike në Izrael.
Edhe disa pjesë të opozitës hebreje përjashtojnë mundësinë e krijimit të një koalicioni me partitë arabe./mxh
