Ish-banori i “Big Brother VIP 5”, Kristi Lamaj, ka ndarë planet dhe reflektimet e tij pas përfundimit të eksperiencës në shtëpinë më të famshme. I ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ai tregoi se ndodhet në një fazë të jetës ku dëshiron të krijojë familje dhe të bëhet baba, duke e cilësuar familjen si vlerën më të shtrenjtë për të.
“Vjen një moment kur gjërat marrin rrjedhën e tyre. Dua të bëhem baba; është një dëshirë që lind me moshën. Fillon të mendosh ndryshe dhe kupton se familja është gjëja më e veçantë. Është vija e kuqe për mua, nuk dua të preket kurrë. Profesioni është një gjë, familja është tjetër — profesioni të kërkon larg dhe përkushtim të madh”, u shpreh ai.
Kristi zbuloi se edhe gjatë qëndrimit në shtëpinë e BBVIP ka kaluar shpesh momente reflektimi të thellë, duke komunikuar në mendje me njerëzit e tij të dashur për të ruajtur lidhjen emocionale me ta.
“Kam bërë shumë biseda me veten. Vendosja përballë vetes një person nga i cili doja këshillë. Nuk kam qenë kurrë vetëm; banorët i shihja si kundërshtarë. Në mendje flisja me njerëzit e zemrës dhe kështu i mbaja marrëdhëniet gjallë,” tregoi ai.
Në fund, Lamaj theksoi se nuk dëshiron të tingëllojë egoist, por është krenar për rrugën e tij artistike dhe për ndikimin që beson se ka sjellë.
“Ndoshta duket si ego, por disa gjëra që kam bërë, i kam bërë. Besoj se kam sjellë një frymë të re në muzikën popullore,” përfundoi ai./mxh
