Katy Perry mund të vendosë të ndajë me publikun një kapitull të jetës së saj për të cilin ka folur shumë pak deri më sot. Bëhet fjalë për martesën e shkurtër me aktorin britanik Russell Brand, një marrëdhënie që, sipas burimeve pranë këngëtares, la pas një periudhë tepër të vështirë për të.
Sipas raportimeve të gazetës britanike Mail on Sunday, artistja 42-vjeçare po shqyrton mundësinë për të shkruar një libër autobiografik, si dhe për të realizuar një dokumentar ku do të rrëfente prapaskenat e lidhjes së tyre 14-mujore.
Përgjatë viteve, Perry thuhet se ka marrë disa propozime për të treguar historinë e saj, por ka zgjedhur të mos flasë publikisht për këtë temë deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-bashkëshortit. Tashmë, ajo dhe përfaqësuesit e saj po shqyrtojnë oferta të mundshme për një projekt televiziv, me platforma si Netflix dhe Hulu.
“Ajo ka shumë për të thënë. Ka shumë gjëra rreth asaj martese që njerëzit nuk i dinë. Ishte një periudhë shumë e errët në jetën e saj”, ka treguar një burim i cituar nga media britanike.
Interesi për të kaluarën e çiftit është shtuar pas vendimit të Gjykatës së Kurorës në Southwark të Londrës, më 5 nëntor, kur Russell Brand u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe tri akuza për sulm seksual ndaj katër grave. Ngjarjet datojnë në periudhën 2004–2009. Aktori u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm. Seanca për caktimin e dënimit ishte planifikuar për 9 nëntor.
Emri i Katy Perry-t u përmend edhe gjatë procesit gjyqësor. Njëra prej grave që akuzoi Brandin pretendoi se këngëtarja mund të ketë qenë e pranishme gjatë një incidenti të vitit 2009, në ambientet e televizionit Channel 4. Sipas dëshmisë, Brand i kishte kërkuar një punonjëseje t’i bënte masazh dhe më pas kishte kryer veprime të papërshtatshme ndaj saj.
Megjithatë, prania e Perry-t në këtë ngjarje nuk është konfirmuar. Nuk ka gjithashtu prova se ajo kishte dijeni për incidentin. Këngëtarja nuk është thirrur për të dëshmuar dhe autoritetet britanike nuk i kanë kërkuar të japë deklaratë në lidhje me çështjen.
Një martesë që përfundoi me një mesazh në telefon
Historia e dashurisë mes Katy Perry-t dhe Russell Brand nisi në vitin 2009, kur të dy u takuan gjatë xhirimeve të filmit “Get Him to the Greek”. Romanca e tyre mori shpejt përmasa serioze dhe në tetor të vitit 2010 ata kurorëzuan lidhjen në një ceremoni tradicionale hindu në Indi.
Por ajo që dukej si një histori dashurie përrallore përfundoi brenda pak kohësh. Në dhjetor të vitit 2011, pas vetëm 14 muajsh martesë, Brand i komunikoi Perry-t se dëshironte t’i jepte fund marrëdhënies. Këngëtarja ka zbuluar më vonë se lajmin e kishte marrë përmes një mesazhi në telefon, pak para se të ngjitej në skenë për një koncert.
Kjo periudhë e vështirë u pasqyrua edhe në dokumentarin “Katy Perry: Part of Me”, ku artistja tregoi disa nga momentet më emocionale të jetës së saj.
Në një intervistë për Vogue në vitin 2013, Perry kishte folur për dinamikën e marrëdhënies me ish-bashkëshortin, duke e përshkruar atë si një person kontrollues.
“Ai nuk e pëlqente faktin që unë isha shefja gjatë turneut. Kjo më lëndoi shumë dhe ai ishte shumë kontrollues, gjë që ishte shqetësuese”, kishte deklaruar ajo.
Në të njëjtën intervistë, këngëtarja pranoi se për një kohë të gjatë kishte menduar se mbante përgjegjësi për dështimin e martesës. Megjithatë, më vonë kishte mësuar diçka që nuk ishte e gatshme ta ndante me publikun.
“Ndjeva shumë përgjegjësi për fundin e marrëdhënies sonë. Por më pas mësova të vërtetën, të cilën nuk mund ta zbuloj domosdoshmërisht, sepse e mbaj të mbyllur në kasafortën time për një ditë të keqe”, ishte shprehur Perry.
Deri më sot, ajo nuk ka dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë deklaratë dhe nuk ka bërë të ditur se çfarë kishte mësuar konkretisht.
Nga unaza e martesës te përplasjet publike
Edhe gjatë kohës kur ishin bashkë, marrëdhënia e çiftit nuk kishte kaluar pa momente të tensionuara.
Pak javë përpara ndarjes, Brand ishte shfaqur në një video ku hiqte unazën e martesës, ndërsa bënte komente për gratë që mund të takonte gjatë një turneu në kampuset universitare amerikane. Veprimi dhe batutat e tij kishin shkaktuar reagime, sidomos për shkak të situatës së tyre martesore.
Një tjetër episod që kishte zemëruar këngëtaren ishte publikimi i një fotografie të saj në shtrat, menjëherë pasi ishte zgjuar dhe pa grim. Sipas raportimeve të asaj kohe, Perry e kishte konsideruar këtë veprim një cenim të privatësisë, ndërsa fotografia ishte fshirë më vonë.
Katy Perry ka nisur një kapitull të ri në jetën sentimentale
Pas divorcit nga Brand, këngëtarja pati një marrëdhënie të gjatë me aktorin Orlando Bloom. Çifti, i cili ka së bashku një vajzë, qëndroi për rreth një dekadë në një lidhje, përpara se të konfirmonte ndarjen.
Aktualisht, Perry është në një romancë me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Ajo nuk ka reaguar ende zyrtarisht për dënimin e ish-bashkëshortit, megjithëse verën e kaluar, gjatë një komunikimi me fansat, kishte bërë një koment të ashpër ndaj tij, duke thënë se ai duhej të ishte “në burg”.
Tashmë, mundësia e një autobiografie apo dokumentari ka rikthyer vëmendjen te një histori që këngëtarja e ka mbajtur kryesisht larg syrit të publikut. Nëse projekti do të realizohet, mbetet për t’u parë nëse Katy Perry do të vendosë të zbulojë edhe ato detaje që prej vitesh ka zgjedhur t’i mbajë vetëm për vete./mxh
