Last Updated on 09/11/2026 by Monika
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar se 9 diagramat e gjetura në makinën e Ergys Agasit i përkasin SHISH.
Sipas gazetarit, SPAK ka kryer verifikime në SHISH për kopjen e realizuar dhe ka zbuluar se 9 diagramat janë pjesë e një raporti informues për krimin e organizuar të cilat janë përpiluar nga oficerët e Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Gazetari thekson se diagramat tregojnë informacione kërkimore operative që mund të kryhen vetëm nga agjentët e SHISH për subjekte të veçanta të Krimit të Organizuar në Shqipëri.
9 diagramat e gjetura në makinën e Agasit përmbajnë një analizë informacioni, gjurmimi telefonik në terren dhe mbledhje informacioni brenda dhe jashtë shtetit për elementë të caktuar të krimit të organizuar në Shqipëri.
Gazetari nënvizon se sipas SPAK një punë të tillë operative kërkimore dhe analizim të informacionit në diagram, mund ta bëjnë vetëm agjentët e shërbimit dhe asnjë institucion tjetër që përfaqëson rendin dhe sigurinë.
Ajo që mbetet një mister i pazgjidhur është se si kanë përfunduar këto diagrama të SHISH në makinën e Ergys Agasit. Duke përmendur SPAK-un, gazetari thotë se dyshimet janë se këto diagrama të klasifikuara janë nxjerrë nga SHISH përmes Vlora Hysenit, e cila ia ka dorëzuar Ergys Agasit./Mxh
