Jessica Simpson po tërheq vëmendjen në rrjetet sociale me paraqitjen e saj më të fundit, duke u shfaqur plot vetëbesim në një set fotografik sensual, vetëm pak muaj pasi konfirmoi ndarjen nga bashkëshorti i saj, Eric Johnson.
Këngëtarja, stilistja dhe sipërmarrësja 45-vjeçare pozoi me të brendshme me motive lulesh dhe veshje elegante që nxirrnin në pah linjat e saj, ndërsa promovonte koleksionin më të ri të markës së saj në Walmart. Fotot u pritën me reagime të shumta pozitive nga fansat, të cilët vlerësuan pamjen dhe energjinë e saj.
Pavarësisht sfidave në jetën personale, Simpson duket se po përjeton një fazë të re, duke u fokusuar te vetja dhe karriera. Së fundmi, ajo ka folur hapur për fundin e martesës me Eric Johnson, duke pranuar se muajt e fundit kanë qenë emocionalisht të vështirë. Sipas saj, kriza në marrëdhënien e tyre kishte nisur që në tetor të vitit 2023.
Në një intervistë, artistja tregoi se muzika është bërë mënyra më e mirë për të përballuar dhimbjen dhe për të rifituar qetësinë.
“Kur jam në skenë, ndihem si në shtëpi. Aty mund të përjetoj çdo emocion dhe ta kthej dhimbjen në forcë”, është shprehur ajo.
Megjithëse po kalon një periudhë të vështirë në jetën private, Jessica Simpson vazhdon të jetë aktive në projektet e saj profesionale. Ajo po i kushton vëmendje zhvillimit të markës së saj të modës, promovimit të koleksioneve të reja dhe rikthimit në muzikë, duke treguar se është e vendosur ta shndërrojë këtë kapitull në një fillim të ri./mxh
