Macklemore ka njoftuar një seri koncertesh bamirësie në mbështetje të palestinezëve, pak ditë pasi u largua nga datat e mbetura të turneut të Ed Sheeran në SHBA.
Reperi amerikan bëri të ditur se turneu “Free Palestine” do të nisë në tetor dhe do të përfshijë tre koncerte në arena të mëdha evropiane.
Koncertet e para do të mbahen më 26 tetor në 3Arena të Dublinit, më 29 tetor në Accor Arena të Parisit dhe më 30 tetor në OVO Arena Wembley në Londër. Sipas organizatorëve, detaje të tjera, përfshirë koncerte të mundshme në SHBA, pritet të njoftohen më vonë. Të ardhurat nga shfaqjet do t’u dhurohen 12 organizatave që ofrojnë ndihmë mjekësore, humanitare, arsimore dhe komunitare për palestinezët.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Macklemore tha se vendosi të organizojë koncertet pasi vuri re një “zgjim kolektiv” rreth çështjes palestineze dhe kritikoi përpjekjet për të heshtur artistët që flasin publikisht për të. Ai u bëri thirrje edhe artistëve të tjerë që të përdorin platformat e tyre përtej argëtimit dhe të mbajnë qëndrim për çështje që i konsiderojnë të rëndësishme.
Njoftimi vjen pasi Macklemore u hoq nga datat e mbetura të turneut të Ed Sheeran. Reperi kishte performuar këngën e tij “Hind’s Hall” në koncertin e Sheeran në New Jersey më 4 shtator, duke brohoritur gjithashtu “Free Palestine”. Më pas, organizatorët njoftuan se disa nga stadiumet ku ishin planifikuar koncertet nuk do ta lejonin performancën e tij, ndërsa Sheeran tha se vendimi nuk ishte marrë prej tij.
Përplasja shkaktoi reagime të forta, veçanërisht pas deklaratave të Robert Kraft, pronarit të New England Patriots, kompania e të cilit menaxhon stadiumin Gillette. Kraft e mbrojti vendimin duke iu referuar disa deklaratave të Macklemore si antisemite, ndërsa reperi i ka mohuar këto akuza dhe ka argumentuar se kritikat e tij lidhen me qeverinë izraelite dhe trajtimin e palestinezëve, jo me hebrenjtë./mxh
