Të vishesh bukur nuk ka një formulë magjike. Mund të dish cilat ngjyra shkojnë me njëra-tjetrën, të kesh garderobën plot me veshje trendi dhe sërish të mbetesh para pasqyrës duke menduar: “Po këpucët me çfarë t’i vesh?”
Nëse kjo situatë ju duket familjare, TikTok-u dhe Instagram-i kanë një zgjidhje: “rregullin e sanduiçit”. Emri tingëllon paksa i çuditshëm, por ideja është shumë e thjeshtë dhe synon t’i japë veshjes më shumë ekuilibër.
Si funksionon?
Parimi është që një element në pjesën e sipërme të veshjes të lidhet me një element në pjesën e poshtme, ndërsa në mes të vendoset një pjesë kontrastuese. Pra, dy elementet që përputhen janë “buka”, ndërsa pjesa në mes është “mbushja”.
Për shembull, nëse vishni një pulovër kafe me xhinse blu, mund të zgjidhni këpucë kafe. Në këtë mënyrë, ngjyra e pulovrës përsëritet te këpucët, ndërsa xhinset krijojnë kontrastin në mes.
Por rregulli nuk ka të bëjë vetëm me ngjyrat. Mund të aplikohet edhe për materialet.
Stilistja Lydia Tomlinson, e cila ka folur gjerësisht për këtë trend, tregon se një palë çizme të zeza të trasha, të kombinuara me xhinse krem dhe një pulovër të bardhë, mund ta bëjnë pjesën e poshtme të duket vizualisht më e rëndë. Një detaj i vogël i zi, si një rrip apo shall, mjafton për të sjellë ngjyrën e këpucëve edhe në pjesën e sipërme dhe për ta bërë të gjithë veshjen më harmonike.
E njëjta logjikë funksionon edhe me proporcionet. Një xhaketë e madhe dhe e rëndë mund të mos duket aq mirë me xhinse shumë të ngushta dhe balerina delikate. Në vend të tyre, një palë çizme të gjata ose këpucë më të trasha e balancojnë më mirë pjesën e sipërme.
Pra, herën tjetër që do të visheni dhe diçka “nuk po rri siç duhet”, ndoshta nuk ju duhet një veshje e re. Thjesht hidhini një sy “sanduiçit” tuaj./mxh
