Pas përfundimit të një marrëdhënieje toksike, jo gjithmonë është e lehtë të dish çfarë të bësh më pas. Mund të mbetesh me stres, pasiguri dhe shumë pyetje.
Por një nga mënyrat më të shëndetshme për të ecur përpara është të mos i japësh më akses në jetën tënde dikujt që nuk respekton kufijtë e tu.
Nuk është gjithmonë e nevojshme të bësh skena apo përballje të mëdha. Shpesh mjaftojnë disa veprime të qeta, të qëndrueshme dhe të qarta. Ja disa prej tyre:
1. Mos e ndiq më në rrjetet sociale
Nëse dikush vazhdimisht shkel kufijtë e tu ose të prish qetësinë, bëj një hap pas.
Hiqe nga ndjekësit ose mos e ndiq më. Të mos shohësh vazhdimisht fotot dhe jetën e tij/saj të ndihmon të shkëputesh emocionalisht dhe të përqendrohesh te vetja.
2. Mos u shpjego shumë
Nuk i detyrohesh askujt një shpjegim të gjatë për çdo vendim që merr.
Nëse dikush nuk respekton kufijtë e tu, thuaje qartë një herë dhe mos u përpiq ta bindësh vazhdimisht.
3. Arkivo kujtimet
Fotot dhe kujtimet e vjetra mund të të rikthejnë te momentet e mira dhe të të bëjnë të dyshosh për vendimin që ke marrë.
Nuk ke pse t’i fshish përgjithmonë. Arkivoji, në mënyrë që të mos përballesh me to çdo ditë.
4. Blloko numrin
Nëse mesazhet dhe telefonatat e një personi të shqetësojnë ose të rikthejnë vazhdimisht në të njëjtin cikël, bllokoje numrin.
Ndonjëherë distanca e plotë është mënyra më e thjeshtë për të rikthyer qetësinë.
5. Mos iu përgjigj menjëherë
Nuk je i detyruar të jesh gjithmonë i disponueshëm.
Nëse dikush të shkruan vetëm kur ka nevojë për ty ose për të të provokuar, nuk ke pse t’i përgjigjesh. Ruaje kohën dhe energjinë për veten.
6. Bëj më shumë gjëra për veten
Pas një marrëdhënieje të vështirë, rikthehu te gjërat që të bëjnë mirë. Gjej një hobi, krijo një rutinë të re, ushtrohu, tako miqtë dhe vendos objektiva personale.
Sa më shumë të investosh te vetja, aq më pak hapësirë i mbetet personit tjetër në mendjen tënde.
7. Qëndro i qetë dhe i distancuar
Nëse duhet të komunikosh me një person toksik, mos u përfshi në debate të pafundme.
Fol shkurt, qetë dhe pa emocione të panevojshme. Nuk ke nevojë të fitosh çdo debat për të mbrojtur veten.
8. Ktheje shqetësimin në ndryshim
Mos e përdor dhimbjen për të qëndruar i bllokuar tek e kaluara. Përdore si shtysë për të bërë diçka të dobishme: ushtrohu, puno, krijo, udhëto ose mëso diçka të re.
Qëllimi është të mos lejosh që një person tjetër të kontrollojë gjithë humorin dhe energjinë tënde.
9. Mos u bëj ti ai që kontakton i pari
Nëse marrëdhënia ka përfunduar dhe gjithmonë je ti që kërkon kontakt, ndalo.
Mos shkruaj, mos telefono dhe mos kërko arsye për t’u lidhur përsëri. Heshtja mund të të tregojë shumë qartë nëse përpjekja ka qenë e njëanshme.
10. Mos fol vazhdimisht për të me njerëzit e tjerë
Sa më shumë flet për një person, aq më shumë hapësirë i jep në jetën tënde.
Mos e bëj vazhdimisht temë bisede me miqtë apo familjen. Lëre të kaluarën aty ku është dhe përqendrohu te jeta jote./mxh
