Last Updated on 20/07/2025 by adminfjala
Për kryebashkiakun e Kavajës, Fisnik Qosja, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, selia blu duhet të nisë një riorganizim të thellë brenda saj, sapo të publikohet raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 11 majit.
Qosja tha në A2CNN se rruga e vetme për të kapërcyer krizën e brendshme dhe për të mposhtur Edi Ramën në zgjedhje është ndryshimi rrënjësor në PD përmes promovimit të figurave të reja, që i simpatizon qytetari.
“Pa diskutim mbas mbarimit të raportit të OSBE/ODHIR që do jetë ashtu siç është me gjithë farsën e vetë brenda. PD nuk duhet të humbi asnjë sekondë për të riorganizuar nga seksioni i fundit i një dege e deri të kryesia qendrore. Nuk ka mënyrë tjetër. Ne kemi figura të reja shumë të mira, kemi prodhuar gjatë gjithë kohës figura të reja, edhe rezultati e tregoi se aty ku kanë qenë të rinj, figura të pastra, që e kanë bërë me zemër e shpirt gjënë, ka fituar PD-ja. Kjo tregon se demokratët e duan ndryshimin, i duan edhe njerëzit. Ne duhet t’i serviremi qytetarëve shqiptarë me njerëz të denjë, njerëz të pastër, që realisht e duan vendin dhe PD. Përndryshe do të rrimë në regres dhe do notojmë po në këto ujëra, që fajin e ka ky, do merremi me njëri-tjetrin dhe do lëmë kundërshtarin të vazhdojë të jetë në pushtet”, deklaroi Qosja në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN.
I pyetur për procesin e Primareve dhe mbetjen jashtë listës së kandidatëve për deputetë, të fituesve të këtij procesi, siç ishte rasti i të parit të qarkut të Tiranës, kavajasit Hysen Kadiu, Qosja tha se kjo strategji përjashtimi e fituesve të garës së brendshme në PD ishte e gabuar. m.p.