Last Updated on 21/09/2026 by Anisa
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë fjalës së mbajtur këtë të hënë në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë përcaktuese të procesit të integrimit europian.
Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Europian është qëllimi strategjik kombëtar dhe destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon, ndërsa e cilësoi atë si prioritetin numër një të Kuvendit të Shqipërisë.
“Nga njëra anë kemi procesin e zgjerimit të BE-së, sot është në ditë të mira. Nga ana tjetër, kemi kompleksitetin gjeopolitik dhe sigurinë, paqen në rajon e më gjerë, në kontinent dhe në botë. BE mbetet faktor dhe garanci e pazëvendësueshme për zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë. Përballë këtyre sfidave, busulla e Shqipërisë mbetet e pazëvendësueshme. Anëtarësimi në BE, qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon e, për rrjedhim, prioriteti numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë. Këto ishin momente vendimtare për ambicien tonë kombëtare, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030. Tashmë kemi hyrë në një fazë përcaktuese të procesit të negociatave, ku fokusi po zhvendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre”, theksoi Peleshi. /ad
