Last Updated on 10/07/2026 by Kesjana
**
Për herë të parë në histori, shkencëtarët kanë arritur të vëzhgojnë në kohë reale formimin e kores së re të Tokës në fund të Oqeanit Indian. Zbulimi, i publikuar në revistën Nature, u bë nga një ekip gjeofizikanësh që monitoronin një kreshtë oqeanike pikërisht në momentin kur ajo u ça nga aktiviteti tektonik. Gjatë ngjarjes, nga thellësitë e Tokës dolën rreth 160 milionë metra kub lavë, një sasi që habiti edhe vetë studiuesit. Lava u ngurtësua duke krijuar shtresa të reja të kores tokësore, një proces që deri më tani ishte njohur vetëm teorikisht dhe nuk ishte parë kurrë drejtpërdrejt.
Kreshtat oqeanike konsiderohen si “fabrikat” natyrore të Tokës, pasi aty formohen pothuajse dy të tretat e kores së planetit. Kur pllakat tektonike largohen nga njëra-tjetra, magma ngrihet nga manteli dhe, pasi ftohet, krijon koren e re. Megjithëse ky mekanizëm njihet prej dekadash, shkencëtarët dinë ende shumë pak për ritmin, madhësinë dhe dinamikën e shpërthimeve që e shoqërojnë.
Për të kapur këtë fenomen, ekipi vendosi në shkurt 2024 një rrjet prej më shumë se 20 instrumentesh përgjatë një segmenti 100-kilometërsh të Kreshtës Juglindore të Oqeanit Indian, e cila ndan pllakën Antarktike nga ajo Australiane. Pajisjet përfshinin hidrofonë për regjistrimin e valëve sizmike dhe transmetues akustikë që matnin vazhdimisht ndryshimet në distancat mes pikave të monitorimit.
Më 26 prill 2024, hidrofonët regjistruan lëkundjet e para sizmike. Në ditët që pasuan, instrumentet treguan se disa pjesë të fundit të oqeanit ishin larguar me të paktën dy metra nga njëra-tjetra, ndërsa në disa zona zhvendosja arriti deri në 4,2 metra, shumë më tepër se disa centimetra që parashikonin studiuesit.
Një sensor presioni zbuloi gjithashtu se disa zona të shtratit të oqeanit ishin fundosur, pasi rezervuari i magmës nën kreshtë ishte zbrazur gjatë shpërthimit.
Sipas autorëve të studimit, kjo lëvizje e papritur çliroi tensione tektonike të grumbulluara gjatë 30 deri në 60 viteve. Shkencëtarët e cilësojnë vëzhgimin si një moment historik për gjeologjinë, pasi ofron për herë të parë një pamje të drejtpërdrejtë të procesit me të cilin planeti ynë vazhdon të krijojë kore të re tokësore në thellësitë e oqeaneve./FC
