Perceptimet e të tjerëve mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ne përjetojmë dhimbjen apo vështirësinë mendore, sipas një studimi të ri shkencor.
Nëse jeni duke pritur për një vaksinë dhe dëgjoni personin përpara jush të ankohet për dhimbje të forta, kjo mund ta bëjë përvojën tuaj më të pakëndshme. Studiuesit kanë zbuluar se informacioni social – ajo që thonë të tjerët për një përvojë – luan një rol të rëndësishëm në formësimin e pritjeve dhe ndjesive tona reale.
Studimi, i publikuar së fundmi në një revistë prestigjioze shkencore, u bazua në eksperimente laboratorike me 111 pjesëmarrës. Atij grupi iu paraqitën vlerësime të supozuara nga persona të tjerë për nivelin e dhimbjes ose vështirësisë së një detyre. Në të vërtetë, këto vlerësime ishin të rastësishme dhe nuk kishin lidhje me përvojën reale.
Pjesëmarrësit u përballën me tre lloje detyrash: aplikim nxehtësie në krah, shikim videosh me persona që përjetonin dhimbje dhe detyra mendore si krahasimi i objekteve 3D. Rezultatet treguan se ata kishin tendencë të përjetonin më shumë dhimbje ose vështirësi kur besonin se edhe të tjerët e kishin përjetuar në të njëjtën mënyrë.
Sipas studiuesve, ky fenomen lidhet me “paragjykimin e konfirmimit”, ku individët priren të besojnë dhe përforcojnë informacionin që përputhet me pritjet e tyre, ndërsa injorojnë të dhënat që i kundërshtojnë ato.
Këto gjetje kanë rëndësi të veçantë në jetën e përditshme. Për shembull, nëse një aktivitet përshkruhet vazhdimisht si i vështirë, njerëzit mund ta përjetojnë atë si më sfidues sesa është në të vërtetë. Po ashtu, perceptimet e gabuara mund të çojnë në nënvlerësimin e dhimbjes së të tjerëve.
Ekspertët paralajmërojnë se në një kohë kur rrjetet sociale dhe media ndikojnë fuqishëm në opinionet publike, këto mekanizma psikologjikë mund të krijojnë “profeci vetëpërmbushëse” – pritje që ndikojnë drejtpërdrejt në përvojat reale të individëve.
Në përfundim, studimi nënvizon rëndësinë e të qenit kritik ndaj informacionit social dhe të vetëdijshëm për ndikimin që pritjet mund të kenë në mënyrën se si ne ndiejmë dhe përjetojmë botën përreth./Kb
