Last Updated on 01/04/2026 by Anisa
Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i saj, Sali Berisha, ka vënë theksin te nevoja urgjente për zgjerimin e anëtarësisë, duke e cilësuar këtë proces si jetik për të ardhmen e forcës politike që ai drejton.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u kërkoi deputetëve të angazhohen maksimalisht në afrimin e anëtarëve të rinj, duke e konsideruar këtë si një nga detyrat kryesore në këtë fazë. Ai theksoi se në degët e partisë në të gjithë vendin po zhvillohen zgjedhje që, sipas tij, kanë ecur në përgjithësi normalisht, por sfida kryesore mbetet zgjerimi i bazës së partisë.
“Në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhje, janë zhvilluar dhe kanë ecur me një normalitet në tërësinë e tyre, por detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja. Unë bëra dhe një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mund të kontribuojë në anëtarësimet e reja. Është jetike për partinë demokratike ky proces.
Mos harroni që ne kemi një problem madhor, spastrimin etnik për shkak të politikave të Edi Ramës, largimin e njerëzve nga Shqipëria, ndaj dhe dua të përparësoni, të kontribuoni me të gjitha mundësitë tuaja për anëtarësime të reja.
Dua ta vlerësojmë në shkallë maksimale, është kushti i gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë e pamposhtur ndaj kësaj diktature. Gjithashtu është dhe një tregues për punën e secilit. Duhet ta marrim në punën më serioze”, tha Berisha
Ndërkohë, shumë anëtarë të Partisë Demokratike po shfaqin pakënaqësi ndaj qëndrimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe disa prej tyre pretendojnë se janë përjashtuar nga strukturat e partisë me urdhër të liderit demokrat dhe sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka.
