Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Seanca plenare është shoqëruar me tensione dhe ironi mes ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së saj në foltore, Muzhaqi iu drejtua Berishës me tone ironike, duke theksuar diferencën në moshë dhe eksperiencë politike.
“Ke këtu që kur kam lindur unë. Të lutem më dëgjo me qetësi, se kam diçka të rëndësishme për të folur”, u shpreh ajo, ndërsa kërkoi vëmendje për çështjet që po trajtonte. Ministrja vijoi duke theksuar se do të ndalej edhe tek skema e mbështetjes për fermerët, duke shtuar: “Braçe mos më merr inat, por të them nja dy fjali për skemën e fermerëve.”
Nga ana tjetër, Berisha reagoi menjëherë pas deklaratave të ministres, duke e akuzuar për përsëritje të qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama. “Të lexosh monologun e mashtrimit të së dielës së Edi Ramës është zgjedhja e saj,” tha ai.
Në vijim, lideri demokrat solli në vëmendje një rast nga Greqia, duke deklaruar se parlamenti atje kishte hequr imunitetin e 11 deputetëve për çështjen e fondeve IPARD. Sipas Berishës, situata në Shqipëri është e kundërt: “Kurse ju i keni këtu, i mbron Rama, i gjen me hajni dhe i mban te zyra.”
