Një nga të arrestuarit në procesin “Plumbi i Artë”, Asllan Plaku, u ankua gjatë seancës gjyqësore këtë të enjte për transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Burrelit.
Sipas tij, ky transferim e vështirëson pjesëmarrjen në çdo seancë, pasi udhëtimi zgjat rreth dy orë. Ai u shpreh se kushtet e transportit janë të papërshtatshme dhe se në javën në vijim pritet të dërgohet në Drenovë, duke kërkuar rikthimin në burgun e Durrësit.
Gjithashtu, Plaku pretendoi se ende nuk i është vënë në dispozicion dosja hetimore, gjë që sipas tij e pengon në mbrojtje. Ai shtoi edhe se nuk e njeh avokatin e caktuar për të.
Nga ana tjetër, prokurori Behar Dibra dhe trupi gjykues deklaruan se këto pretendime po i dëgjojnë për herë të parë në sallë dhe se ato do të verifikohen.
