Last Updated on 26/04/2026 by EL
Futbolli spanjoll përfshihet nga një tjetër valë tensioni jashtë fushës së lojës. Edhe pse La Liga prezantoi me bujë protokollin e parë për parandalimin e diskriminimit, dhunës dhe abuzimit në stadiume, Real Madrid ka vendosur të dalë kundër rrymës, duke e paditur këtë nismë në gjykatë.
Më 26 mars, në stadiumin “Metropolitano”, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, prezantoi udhëzuesin e ri që synon rritjen e sigurisë në kampionat. Nisma u mbështet fuqishëm nga Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, dhe presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, të cilët theksuan se në futboll “nuk ka vend për ngacmime apo dhunë”.
Sipas autoriteteve, ky protokoll parashikon masa strikte kundër grupeve “ultra” dhe monitorim të rreptë të zonave rreth stadiumeve.
Sipas raportimeve të fundit nga e përditshmja MARCA, klubi i drejtuar nga Florentino Perez ka depozituar një padi ku kërkon shfuqizimin e marrëveshjes së miratuar më 20 shkurt 2026.
Arsyetimi i Real Madrid:
• Klubi pretendon se ky protokoll duhet të ishte në dispozicion të klubeve për nënshkrim vullnetar.
• Sipas tyre, La Liga e ka shndërruar nismën në një “sistem shtrëngues” (koerçitiv) që u imponohet klubeve me detyrim.
• Real Madrid thekson se zotëron tashmë protokollin e tij të brendshëm, duke e cilësuar lëvizjen e La Liga-s si ndërhyrje të panevojshme.
Ky veprim i “Los Blancos” ka shkaktuar habi dhe pakënaqësi te klubet e tjera spanjolle. Burime brenda kampionatit shprehen se nuk e kuptojnë pse Real Madrid zgjedh të “udhëtojë në korsinë e kundërt” edhe për tema kaq të ndjeshme si lufta ndaj racizmit dhe dhunës, duke dëmtuar potencialisht imazhin e klubit.
Real Madrid kërkoi pezullimin e menjëhershëm të protokollit (masa paraprake), por gjyqtari e ka rrëzuar këtë kërkesë fillestare, duke kërkuar fillimisht të dëgjojë versionin dhe mbrojtjen e La Liga-s.
Ndërkohë që institucionet presin verdiktin final, nisma e La Liga-s po merret si model edhe nga sporte të tjera, si Liga Asobal në hendboll, pavarësisht rezistencës së vetmuar të klubit mbretëror./ET
