Këngëtarja Rovena Dilo ka qenë e ftuar në Goca dhe Gra, ku ka rrëfyer për publikun jo vetëm rrugëtimin e saj artistik, por edhe një anë shumë personale të jetës: marrëdhënien e ngushtë me babanë e saj të ndjerë.
Gjatë bisedës në studio, teksa rikujtonte dhe këndonte disa prej këngëve të saj më ikonike, artistja u ndal te kënga Përtej Kohës, një krijim që mbart një domethënie të veçantë për të. Dilo tregoi se kjo këngë i është kushtuar babait të saj, duke e cilësuar lidhjen me prindërit si të pazëvendësueshme dhe të shenjtë.
Ajo ndau gjithashtu një moment të veçantë nga fillimet e saj në muzikë, kur nisi të ndërtonte karrierën në Greqi, duke sjellë në vëmendje një kujtim domethënës me të atin.
“Këngën “Përtej Kohës” ia kam kushtuar babit tim. Prindërit janë shumë të rëndësishëm. S’ka si prindërit, dy janë vetëm. Janë shumë të shenjtë. Jeta është një kujtim shumë i gjatë.Babai im njëherë më tha një gjë shumë të bukur. Kur isha e vogël unë mbyllja derën e dhomës dhe këndoja pafund me radion time. Kur shkova në Greqi dhe fillova të këndoj dhe të fitoj dhe nuk fitoja pak, babi më tha: A moj Rovena, tu shpërblye gjithë ajo lidhje”. Unë këndoja për qejf ndërkohë, nuk kisha asnjë synim, ishte natyrale. Ishte dëshira e një të riu që ka një talent”, tha Rovena Dilo.
