Last Updated on 05/05/2026 by Kesjana
E diela e 3 majit 2026 do të mbetet një ditë e trishtë në kronikën e dhimbjes së qytetit të Durrësit, një ngjarje që tronditi vendin dhe riktheu në vëmendje një problem të përsëritur të sigurisë së jetës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në një zonë urbane të Durrësit, një automjet i drejtuar nga një shtetas në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, humbi kontrollin dhe përplasi tre fëmijë që ndodheshin në trotuar. Si pasojë, humbën jetën Eneo Muça, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, ndërsa një fëmijë i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Drejtuesi i mjetit, Nikoll Radaçi, është identifikuar dhe ndaluar nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Paralelisht, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme administrative, përfshirë shkarkime në strukturat vendore të policisë, si reagim ndaj menaxhimit të situatës dhe përgjegjësive institucionale.
Presidenti i Republikës dhe Kryeministri e kanë cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë dhe kanë kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie në të gjitha nivelet. Ndërsa Kuvendi në përbërje të të cilit është edhe një komision me emrin “Miqtë e fëmijëve”, pasi mbajti një minut heshtje, diçka diskutoi mbi ngjarjen e rëndë!
Por, përtej deklaratave zyrtare, ngushëllimeve dhe reagimeve të menjëhershme institucionale, kjo ngjarje shpërfaq një sërë problemesh që shkojnë përtej ngjarjes dhe vrasësit të fëmijëve.
Sepse kjo nuk është thjesht një aksident rrugor.
Kjo është provë apo dëshmi e një zinxhiri dështimesh që nis shumë më herët se sa ngjarja që ndodhi të dielën në Durrës.
Sepse tragjedi të tilla nuk ndodhin rastësisht. Ato nuk janë një devijim i papritur i fatit, por rezultat i një procesi të gjatë ku ndërthuren sjellja individuale, mungesa e parandalimit institucional, dobësitë e sistemit të drejtësisë dhe kultura e përgjithshme e tolerancës ndaj shkeljeve.
DËSHTIMI I I PARË është ai individual: vendimi për të drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në kushtet kur vetëdija dhe aftësia për të kontrolluar automjetin janë të kompromentuara plotësisht. Në këtë moment nuk kemi më të bëjmë thjesht me një shkelje të rregullave të qarkullimit, por me një vendim aktiv për të rrezikuar jetën e të tjerëve. Alkooli në timon nuk është një gabim i momentit; është një akt që e shndërron drejtuesin e mjetit nga përdorues i rrugës në një vrasës potencial për çdo këmbësor, për çdo fëmijë, për çdo familje që ndodhet në hapësirën publike. Dhe në këtë rast, pasoja është tragjike.
Por ky është vetëm fillimi i zinxhirit.
DËSHTIMI I DYTË është ai institucional, që lidhet me mënyrën se si identifikohen, trajtohen dhe mbahen nën kontroll individët me sjellje të përsëritura të rrezikshme në rrugë. Në çdo sistem funksional të sigurisë rrugore, ekziston parimi i parandalimit të përsëritjes së rrezikut. Kjo do të thotë se individët që kanë shfaqur më parë sjellje problematike nuk trajtohen si përdorues të zakonshëm të rrugës, por si subjekte që kërkojnë monitorim të shtuar, masa kufizuese ose, në raste të caktuara, heqje të përkohshme apo të zgjatur të të drejtës për të drejtuar mjetin.
Kur ky mekanizëm nuk funksionon, krijohet një boshllëk i rrezikshëm: individë që janë identifikuar si problematikë vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm, pa një sistem efektiv paralajmërimi, kontrolli apo ndërhyrjeje të hershme. Në këtë pikë, institucioni nuk reagon në fazën e rrezikut, por vetëm në fazën e pasojës. Dhe kjo e zhvendos gjithë sistemin nga parandalimi te reagimi pas tragjedisë.
DËSHTIMI I TRETË është ai i sistemit të drejtësisë, ku shkeljet e rënda rrugore, sidomos ato që përfundojnë me humbje jete, shpesh trajtohen në mënyrë të fragmentuar, si incidente të veçuara dhe jo si sjellje me rrezik të lartë shoqëror.
Problemi nuk qëndron vetëm te masa e dënimit, por te mungesa e efektit të tij parandalues dhe transformues. Në teori, dënimi duhet të shërbejë jo vetëm si ndëshkim, por edhe si mekanizëm që e largon për një periudhë të gjatë ose përfundimtare rrezikun nga rruga.
Në praktikë, për shkak të lehtësive procedurale, uljeve të dënimit apo mungesës së një qasjeje të unifikuar ndaj rasteve të përsëritura, krijohet një perceptim dhe shpesh edhe një realitet ku pasoja e veprës nuk përkthehet gjithmonë në ndalim real dhe të qëndrueshëm të rrezikut. Kjo do të thotë se sistemi nuk arrin ta mbyllë ciklin: nga shkelja, te ndëshkimi, dhe më pas te parandalimi i përsëritjes.
Dhe kur këto tre nivele dështimi bashkohen, rezultati është gjithmonë i njëjtë: rreziku mbetet në qarkullim, vetëm deri në momentin kur shndërrohet në tragjedi.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka parë një seri aksidentesh të rënda që kanë tronditur opinionin publik.
Një familje e tërë humbi jetën në aksidentin e Fier–Vlorës nga shpejtësia ekstreme. Pesë persona humbën jetën në Qafë-Muzinë. Tetë jetë u shuan në Këlcyrë në një tjetër ngjarje tragjike.
Ngjarje të ndryshme, në vende të ndryshme, por me një model të njëjtë: shkelje ekstreme të rregullave, pasoja fatale dhe një sistem që reagon gjithmonë pasi ngjarja ka ndodhur.
Sepse edhe këtë herë, reagimi ka qenë i menjëhershëm: deklarata, ngushëllime, masa administrative dhe shkarkime në strukturat përgjegjëse. Por ky reagim zakonisht zgjat pak ditë. Më pas, vëmendja zhvendoset, debati zbehet dhe sistemi kthehet në rutinën e tij.
Nuk ka transparencë të vazhdueshme. Nuk ka ndjekje afatgjatë të përgjegjësive. Nuk ka raportim të qartë mbi efektet reale të masave të marra.
Dhe cikli përsëritet: tragjedi, reagim, heshtje, dhe një tjetër tragjedi.
Në këtë pikë lind pyetja që shpesh dëgjohet në opinionin publik: çfarë bëri policia?
Është një pyetje legjitime, por jo e mjaftueshme për të shpjeguar të gjithë problemin. Policia ka rolin e saj dhe përgjegjësitë e saj. Ajo duhet të parandalojë, të kontrollojë dhe të ndërhyjë. Por nuk mund të jetë e vetmja hallkë e një sistemi kompleks.
Sepse siguria rrugore nuk është vetëm çështje policore. Është një sistem ku ndërthuren ligji, drejtësia, infrastruktura dhe kultura shoqërore.
Dhe kur shohim çfarë ndodh pas ndërhyrjes së policisë, problemi bëhet edhe më i thellë.
Në shumë raste, autorët e aksidenteve të rënda përfitojnë ulje dënimi, lirohen më herët dhe, pas një periudhe kohe, mund të rikthehen sërish në timon. Nuk ekziston një ndalim i përhershëm për drejtimin e automjetit për ata që kanë shkaktuar vdekje në rrugë. Kjo do të thotë se rreziku nuk eliminohet, por vetëm shtyhet në kohë.
Dhe kur rikthehet, pasojat mund të jenë sërish fatale.
Në fund, kjo histori nuk është vetëm për institucionet. Është edhe për shoqërinë. Sepse një shoqëri që toleron shkeljet, që mbyll sytë përballë rrezikut dhe që reagon vetëm pas tragjedisë, është një shoqëri që e riprodhon vetë këtë cikël.
Dy fëmijë humbën jetën në një trotuar, në një hapësirë që duhej të ishte e paprekshme.
Por ekziston edhe një dimension tjetër, shpesh i anashkaluar, ai i hapësirës urbane dhe mënyrës si administrohen ato.
Sepse pyetja është e thjeshtë: ku duhet të jenë fëmijët?
Në çdo shoqëri të organizuar, fëmijët duhet të kenë hapësira të dedikuara për lojë, parqe, kënde argëtimi dhe zona të sigurta larg trafikut. Por realiteti ynë në shumë qytete është ndryshe. Hapësirat e dedikuara janë të pakta, shpesh të amortizuara ose të vendosura pranë rrugëve të ngarkuara me automjete.
Në mungesë të këtyre hapësirave, fëmijët përfundojnë duke luajtur në trotuare, pranë rrugëve ku trafiku është i përditshëm dhe shpesh i pakontrolluar. Dhe në këtë pikë, rreziku nuk vjen vetëm nga drejtuesi i papërgjegjshëm, por edhe nga mungesa e alternativës së sigurt.
Kur shteti nuk krijon hapësira të sigurta për fëmijët, ai në mënyrë indirekte i ekspozon ata ndaj rrezikut.
Dhe kjo nuk është një histori e re.
Ajo që ndodhi në Durrës të dielën e 3 majit, nuk është vetëm një ngjarje e rëndë.
Është një alarm.
Një alarm për një sistem që reagon, por nuk parandalon. Për institucione që veprojnë pas faktit. Dhe për një shoqëri që shpesh kujtohet vetëm kur është tepër vonë.
Nëse duam që ngjarje të tilla të mos përsëriten, nuk mjafton të ndryshojmë vetëm reagimin.
Duhet të ndryshojmë mënyrën si e kuptojmë përgjegjësinë.
Sepse në fund, nuk dështoi vetëm drejtusi i mjetit që prej papërgjegjshmërisë së vet përfundoi në vrasës.
Nuk dështuan vetëm institucionet.
Dështuam të gjithë.
Dhe çmimin më të rëndë e paguan ata që nuk patën asnjë faj: fëmijët./kb
