Pesëdhjetë vjet më parë u nda nga jeta një nga figurat më të mëdha të kinemasë evropiane, Luchino Visconti, aristokrati rebel që e ktheu kamerën në një instrument të hollë hetimi mbi historinë, klasat shoqërore dhe dramën njerëzore.
Regjisori italian krijoi universë të fuqishëm artistikë, ku ndërthuri letërsinë, muzikën dhe teatrin, duke dialoguar në mënyrë të vazhdueshme me autorë dhe figura të mëdha të kulturës evropiane, si Jean Cocteau, Thomas Mann, Giovanni Verga, William Shakespeare, Giuseppe Verdi, Giuseppe Tomasi di Lampedusa dhe Anton Chekhov. Aristokrat nga lindja dhe partizan nga bindja, kërkues i obsesionuar i përsosmërisë dhe eksperimentues i guximshëm në skenë e në sheshxhirim, “konti i kuq” vdiq më 17 mars 1976 në Romë, ndërsa po përfundonte dublimin e filmit të tij të fundit, “I Pafajshmi”, dhe po punonte për një adaptim të romanit “Mali Magjik” të Thomas Mann-it.
Përvjetori i pesëdhjetë i vdekjes së tij po përkujtohet me një sërë aktivitetesh në Itali dhe jashtë saj: nga retrospektiva e Fondazione Cinema per Roma deri te programet e Ciné-histoire në Montreal, ndërsa më 16 mars në La Scala u shfaq filmi monumental “Ludwig”.
Luchino Visconti lindi në Milano më 2 nëntor 1906, i katërti nga shtatë fëmijë të familjes aristokrate Visconti di Modrone. I ati, Giuseppe Visconti, ishte një sipërmarrës nga një prej familjeve më të vjetra të fisnikërisë lombarde, ndërsa e ëma, Carla Erba, vinte nga një familje e pasur industrialistësh farmaceutikë. Në një mjedis të kulturuar dhe të rafinuar, fëmijët u rritën mes muzikës dhe artit, ndonëse nën një disiplinë të rreptë që Luchino, me natyrën e tij të lirë dhe rebeluese, nuk e pranoi kurrë plotësisht.
Pas studimeve dhe një periudhe të shkurtër në ushtri, si edhe një përvoje të suksesshme si mbarështues kuajsh, Visconti gjeti thirrjen e tij në fillim të viteve ’30 në Paris. Pikërisht atje, përmes miqësisë me Coco Chanel, ai u fut në rrethin e intelektualëve të lidhur me Frontin Popullor dhe u njoh me figura si Jean Cocteau, Luis Buñuel dhe Man Ray. Mbi të gjitha, u afrua me regjisorin Jean Renoir, pranë të cilit punoi si asistent vullnetar.
Në vitin 1939 u vendos në Romë dhe iu bashkua rrethit të intelektualëve antifashistë që gravitonin rreth revistës “Cinema”, mes tyre Umberto Barbaro, Giuseppe De Santis, Mario Alicata dhe Pietro Ingrao. Filmi i tij i parë, “Ossessione” (1943), me Massimo Girotti dhe Clara Calamai, një histori e errët pasioni dhe krimi e frymëzuar nga romani i James M. Cain, u konsiderua një pararendës i neorealizmit italian. Filmi u kundërshtua nga autoritetet fashiste, ndërsa vetë Visconti u përfshi gjithnjë e më shumë në Rezistencë, duke fshehur armë dhe njerëz në vilën e tij. Ai u arrestua dhe u torturua nga Banda famëkeqe Koch, por u lirua falë ndërhyrjes së aktores María Denis.
Pas luftës, në vitin 1945, ai debutoi si regjisor teatri me dramën “Les Parents terribles” të Jean Cocteau, duke vendosur në qendër të veprës së tij një temë që do ta shoqëronte gjatë gjithë karrierës: shpërbërjen e familjes dhe konfliktet e brendshme që e copëtojnë atë.
Filmi i tij i dytë, “La terra trema” (1948), një adaptim realist i romanit “I Malavoglia” të Giovanni Vergas, u realizua me peshkatarë të vërtetë nga Aci Trezza, duke u bërë një nga shembujt më radikalë të neorealizmit. Dështimi komercial e riktheu përkohësisht në teatër, ku solli në Itali dramaturgjinë realiste amerikane të Tennessee Williams dhe Arthur Miller.
Në vitin 1951 ai u kthye në kinema me “Bellissima”, me protagoniste Anna Magnani, një histori mbi ëndrrat dhe iluzionet e botës së kinemasë. Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe bashkëpunimi i tij i gjatë me skenaristen Suso Cecchi d’Amico.
Visconti u shqua gjithashtu si regjisor opere, një dimension artistik që u pasurua nga bashkëpunimi i tij i famshëm me sopranon Maria Callas. Në kinema, ndërkohë, ai vazhdoi të ndërtonte afreske të mëdha historike dhe shoqërore: “Senso” (1954), i vendosur në kohën e Luftës së Tretë të Pavarësisë italiane; “Rocco dhe vëllezërit e tij” (1960), një dramë familjare në një botë armiqësore; dhe mbi të gjitha “Il Gattopardo” (1963), kryevepra e tij e bazuar në romanin e Giuseppe Tomasi di Lampedusa, me Burt Lancaster, Claudia Cardinale dhe Alain Delon. Filmi fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Kanës dhe mbetet një nga portretet më të thella filmike të ndryshimit historik dhe rënies së aristokracisë.
Në vitin 1965 ai fitoi Luanin e Artë në Venecia për filmin “Vaghe stelle dell’Orsa”. Pas pritjes së ftohtë të “Lo straniero” (1967), Visconti u rikthye me sukses me “La caduta degli dei” (1969), kapitulli i parë i të ashtuquajturës trilogji gjermane, një analizë e errët e degradimit moral në prag të nazizmit.
Trilogjia vazhdoi me “Vdekja në Venecia” (1971), adaptimi elegant i romanit të Thomas Mann-it, dhe u përmbyll me monumentalin “Ludwig”, kushtuar mbretit dekadent Ludwig II të Bavarisë. Gjatë realizimit të këtij filmi, në korrik 1972, Visconti pësoi një trombozë që e la pjesërisht të paralizuar. Megjithatë ai u kthye në punë pas disa muajsh, duke realizuar edhe dy filma të tjerë: “Gruppo di famiglia in un interno” (1974) dhe “I Pafajshmi” (1976).
Në një nga intervistat e tij të fundit, regjisori shpjegonte thelbin e botës së tij artistike:
“Pothuajse të gjithë personazhet e mi janë humbës, sepse janë ata që më prekin më shumë. Personalisht preferoj të fitoj, por ndiej një solidaritet të madh me humbësit.”
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
