Nga Lutfi Dervishi
Pas zjarrit në një hotel në Lungomare të Vlorës, ku gjashtë pushues mbetën të plagosur, po ndodh ajo që pritet në këto raste: kanë nisur kontrollet në hotele.
Kontrollet duhen bërë, por pyetja është: pse (gjithmonë) si kofini pas të vjelit?
Pse gjithmonë pasi e pësojmë, mobilizohemi, kontrollojmë, inspektojmë, deklarojmë, postojmë, komentojmë dhe pastaj… harrojmë?
Në letër, gjërat i kemi mirë e bukur, por zjarri nuk pyet për letrat.
Zjarri në Vlorë nuk do të kishte shkaktuar ato pasoja nëse do të kishte funksionuar sistemi i alarmit dhe i detektimit të hershëm të tymit dhe zjarrit.
Pasojat do të ishin shumë më të vogla nëse do të kishin funksionuar të gjitha hallkat e tjera të sigurisë: mjetet fikëse, hidrantet, ndriçimi i emergjencës, sinjalistika, rrugët dhe daljet e lira të evakuimit, dyert rezistente ndaj zjarrit dhe, sistemet automatike të shuarjes.
Nuk është se na mungon “përvoja” me zjarret.
Vetëm katër muaj më parë, në prill, një tjetër zjarr spektakolar përfshiu një pallat pranë QSUT-së në Tiranë ku fasada e pallatit u dogj si eshkë.
Bilanci: 71 apartamente të dëmtuara, katër persona u arrestuan, mes tyre administratori i pallatit, nënkontraktori i fasadës dhe një inxhinier, ndërsa “ndërtuesi” u shpall në kërkim.
Një ditë pas zjarrit, kompania tha se do të rindërtonte fasadën dhe apartamentet e dëmtuara.
Katër muaj më pas ku jemi me premtimet dhe hetimet?
Çfarë ndodhi me personin e shpallur në kërkim? Çfarë u bë me apartamentet dhe banorët? A doli një analizë teknike për shkaqet dhe përhapjen e zjarrit?
Dhe, mbi të gjitha: a nxorëm ndonjë mësim nga fasadat që digjen si eshkë?
Nëse fasada e asaj godine ishte problematike, (rast i përsëritur më të njëjtën kompani) a u kontrolluan godinat e tjera të ndërtuara me të njëjtin sistem, me të njëjtat materiale me të njëjtin ndërtues?
A kemi sot një inventar të fasadave të ndërtesave shumëkatëshe për të identifikuar materialet që mund të përhapin zjarrin?
Një nga mësimet që bota ka nxjerrë nga tragjedi të tilla është se pas një fatkeqësie me shumë se gjetja e fajtorit duhet të zbulosh shkaqet dhe të marrësh masa që të mos përsëritet sërish rreziku.
Ligji që kemi i njeh objektet me risk të lartë, si spitalet, hotelet, azilet dhe ndërtesa të tjera ku një zjarr mund të ketë pasoja të rënda, por nuk mjafton certifikata, duhen inspektime periodike të vërteta, kontrolle të paparalajmëruara dhe, mbi të gjitha, teste nëse gjërat funksionojnë.
Nëse kontrollet e nisura sot do të përfundojnë pas dy ditësh, bashkë me zhurmën mediatike të ngjarjes, zjarri i Vlorës do të harrohet si gjithë të tjerët.
Zjarret ende nuk kanë përfunduar, por pikërisht tani është koha më e mirë për t’u marrë me rrezikun e radhës: përmbytjet e vjeshtës dhe dimrit.
Nëse do të ketë inspektime, (dhe dimë të bëjmë shumë të tilla, si dhjetëra inspektimet në katër vjet për afro 6 kilometra të zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës) atëherë tani duhen kontrolluar kanalet kulluese, argjinaturat, tombinot, hidrovorët.
Në të kundërt, pas disa javësh do të dëgjojmë të njëjtat parrulla që tashmë i dimë edhe në gjumë: “situatë e jashtëzakonshme”, “mobilizim maksimal”, “shteti në këmbë”, “forca në terren”, “masa të menjëhershme”, gatishmëri për ndihmë nga Kosova dhe ministra që raportojnë nga vendngjarja dikush me çizme gome e dikush me kollare.
Përmbytjet e vjeshtës do t’ia lënë vendin borës dhe ngricave, bora do t’ia lërë vendin përmbytjeve të pranverës dhe përmbytjet e pranverës do t’ia lënë stafetën zjarreve të verës tjetër.
Sado cinike të tingëllojë, lajmi i mirë është se deri atëherë ndoshta do t’i kemi vërtet tre avionët kundër zjarrit që janë premtuar se do të blihen në dimër.
Fatkeqësitë janë pjesë e jetës dhe nuk mund t’i shmangësh gjithmonë, por përsëritja e të njëjtave gabime nuk quhet më fatkeqësi.
Vërini çfarë emri të doni!
