Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1999, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, ai thekson rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Slobodan Milošević, duke e përshkruar si një kthesë që solli shpresë për popullin e Kosovës në një nga periudhat më të errëta të tij.
“24 marsi i vitit 1999 mbetet një nga datat më të forta në kujtesën tonë kolektive. Në atë natë, kur errësira dukej se kishte mbuluar gjithçka, ndërhyrja e Nato-s kundër regjimit të Slobodan Milosheviçit solli dritën e shpresës për një popull që po përballej me dhunë, dëbim dhe shfarosje. Ishte një moment kur bota zgjodhi të mos heshtte,” shprehet ambasadori.
Duke reflektuar mbi këtë përvjetor, Petrit Malaj nënvizon se, edhe pas 27 vitesh, kujtesa mbetet një element thelbësor për të kuptuar sakrificën dhe rrugën drejt lirisë.
“Sot, 27 vite më pas, përulemi me respekt para sakrificës së mijëra njerëzve dhe kujtojmë se liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht, ajo u fitua me dhimbje, qëndresë dhe me mbështetjen e aleatëve. Kujtesa nuk është vetëm nderim për të shkuarën, por përgjegjësi për të ardhmen,” përfundon ai.
