Last Updated on 28/11/2026 by Monika
Lidhur me incidentin e goditjes me plumba gome të operatorit E.D., dhe fotoreporterit F.B., ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
AGSH ka dënuar me forcë 2 rastet në fjalë, ku është ushtruar dhunë ndaj punonjësve të medias, gjatë protestës kombëtare.
AGSH u shpreh se qëndron në krah të të gjithë kolegëve dhe kërkon hetim të plotë të incidenteve, për të identifikuar përgjegjësit.
Sipas AGSH-së, media nuk duhet të jetë objektiv i forcave të rendit, duke i bërë thirrje emergjente Policisë të marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së operatorëve, gazetarëve dhe fotoreporterëve.
Reagimi i AGSH-së:
“AGSH dënon goditjen me plumba gome të operatorit Elion Deliu dhe fotoreporterit Felix Bilani
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë dy incidente të tjera ndaj punonjësve të medias gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Operatori i Top News, Elion Deliu, dhe fotoreporteri i Syri, Felix Bilani, janë goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
AGSH shpreh shqetësimin e thellë për incidentet e njëpasnjëshme ndaj punonjësve të medias dhe përdorimin e forcës që rrezikon seriozisht sigurinë dhe integritetin e tyre fizik.
AGSH i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve, ndërsa u bën thirrje autoriteteve kompetente të hetojnë këto incidente dhe të identifikojnë përgjegjësit.
Punonjësit e medias nuk duhet të jenë objektiv i forcave të rendit. Dokumentimi i protestave dhe i veprimeve të policisë është pjesë thelbësore e ushtrimit të lirisë së medias dhe i shërben interesit publik.
AGSH shpreh solidaritetin e plotë me Elion Deliun dhe Felix Bilanin, si dhe me të gjithë kolegët që po përballen me dhunë gjatë raportimit të protestës së sotme.”/Mxh
