Last Updated on 22/04/2025 by adminfjala
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, po vijon edhe këtë të martë me dëshminë e tij në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”.
Mësohet se gjatë seancës së sotme, Dumani është marrë në pyetje nga avokati Sokol Hazizaj, teksa përmes përgjigjeve ai zbuloi njohjen me Aleksandër Bahon, për të cilin thotë se e njihte para Suel Çelës.
Ndërkohë, Dumani ka zbuluar detaje për atentatit ndaj Lulëzim Meshës, drejtorit të shkollës private “ëillson”, në vitin 2021. I penduari i drejtësisë ka zbuluar se Suel Çela ishte porositësi, por që shkakun nuk e dinte.
Pjesë nga dëshmia:
Sokol Hazizaj: Për vrasjen e mbetur në tentativë të Lulëzim Mashës, cili ka qenë shkaku?
Dumani: Porositësi ishte Suel Çela, shkakun nuk e di.
Sokol Hazizaj: Ka lidhje Arben Laze në tentativën e vrasjes së Lulëzim Mashës?
Dumani: Arben Laze nuk ka lidhje fare me ngjarjen e Lulëzim Mashës. Njohjen e parë me Suel Çelën e kam patur në 2021 nga Fatmir Troplini.
Ndërkohë, gjatë kësaj seance, i akuzuari tjetër Enver Diva ka akuzuar prokurorët për presion, duke pretenduar se ndaj tij është kërkuar regjijmi 41-bis.
“A më paguajnë këta të mbyll gojën që të mos flas? Kam parë në televizor që duan të më fusin në regjimin 41-bis. E ka dhënë Top Channel,” – u shpreh Diva.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorëve, të cilët mohuan pretendimet e Divës. Ata deklaruan se do ta verifikojnë, por që deri më tani nuk ka asgjë të vertetë.
“Ne nuk kemi çuar asnjë kërkesë për 41-bis. Përpiqemi të mos shohim shumë televizor. Pretendimin do ta verifikojmë, por nuk ka asgjë të vërtetë deri tani,” u përgjigjën ata./E.S