Ndërsa Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani dhe Hong Kongu po hyjnë në kategorinë e vendeve “super të plakura”, ku më shumë se 20% e popullsisë është mbi moshën 65 vjeç, miliarderi kinez dhe bashkëthemeluesi i Trip.com, James Liang, paralajmëron se rënia e lindshmërisë mund të ngadalësojë vetë inovacionin teknologjik.
“Nëse popullsia vazhdon të bjerë, jo vetëm që do të zvogëlohet aftësia jonë për të inovuar, por mund të humbasim edhe kapacitetin për të mbajtur nën kontroll vetë inovacionin”, deklaroi Liang për Fortune.
“Innovationism” – filozofia që lidh popullsinë me teknologjinë
Liang, i cili prej vitesh studion tendencat demografike, ka krijuar termin “innovationism”, një teori sipas së cilës rritja e popullsisë është një motor i rëndësishëm për zhvillimin teknologjik. Sipas tij, më shumë njerëz nënkuptojnë më shumë talente, më shumë kërkim shkencor, më shumë patenta dhe më shumë zbulime. Shqetësimi i tij mbështetet edhe nga situata demografike e Kinës. Në vitin 2025, norma e lindjeve në vend ra në vetëm 5.63 lindje për 1,000 banorë, niveli më i ulët që nga viti 1949. Projekcionet tregojnë se popullsia kineze mund të bjerë nën 1.25 miliardë banorë deri në mesin e këtij shekulli.
Kriza e lindshmërisë nuk është vetëm problem i Kinës
Fenomeni po prek pothuajse të gjithë Azinë. Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani dhe Hong Kongu po kalojnë drejt statusit të vendeve “super të plakura”, ndërsa vende si Tajlanda, Vietnami, Malajzia dhe Filipinet kanë rënë tashmë nën nivelin e nevojshëm për zëvendësimin e popullsisë. Edhe India, vendi më i populluar në botë, ka aktualisht një normë fertiliteti prej vetëm 1.9 fëmijësh për grua, nën nivelin prej 2.1 që konsiderohet i nevojshëm për ruajtjen e madhësisë së popullsisë. Sot, rreth dy të tretat e popullsisë globale jetojnë në vende me norma lindshmërie nën nivelin e zëvendësimit.
Çfarë po bëjnë qeveritë?
Shumë vende aziatike kanë nisur politika për të nxitur lindjet, përfshirë bonuse financiare për familjet, leje më të gjata prindërore, kujdes të subvencionuar për fëmijët dhe madje edhe iniciativa për njohje dhe krijim familjesh. Në Korenë e Jugut, norma e fertilitetit është rritur lehtë nga 0.72 në vitin 2023 në 0.80 në vitin 2025, por Liang beson se nevojiten masa shumë më agresive. Sipas llogaritjeve të tij, rritja e fertilitetit me një fëmijë shtesë për grua do të kërkonte investime të barabarta me rreth 10% të PBB-së në politika pro familjes. Ai mbështet transfertat financiare direkte, çerdhet e subvencionuara, oraret fleksibël të punës, legalizimin e surrogacisë dhe reduktimin e presionit akademik mbi fëmijët dhe të rinjtë. Liang thekson gjithashtu se burrat duhet të marrin një rol shumë më aktiv në rritjen dhe kujdesin për fëmijët.
Inteligjenca Artificiale mund ta përkeqësojë problemin
Sipas Liang, inteligjenca artificiale mund të ketë një ndikim të dyfishtë në këtë krizë.Nga njëra anë, AI mund të lirojë kohë dhe burime për familjet. Nga ana tjetër, automatizimi mund të reduktojë vendet e punës për të rinjtë, duke i bërë ata edhe më hezitues për të krijuar familje. Ai paralajmëron gjithashtu se një popullsi në tkurrje do të thotë më pak njerëz për të zhvilluar, monitoruar dhe kontrolluar sistemet e inteligjencës artificiale. “Ne kemi nevojë për më shumë njerëz, përndryshe rrezikojmë t’ia dorëzojmë kontrollin Inteligjencës Artificiale”, përfundon Liang./ad
