Nga Leonard Veizi
Ka pak vende në historinë e televizionit aq të ngarkuara me tmerr sa kompleksi industrial i Northmoor-it. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me një vendndodhje në mini-serinë britanike “Buzë Errësirës”, prodhim i BBC-së i vitit 1985. Ai është mishërimi i Ferrit modern. Seriali, i shkruar nga Troi Kenedi Martin dhe drejtuar nga Martin Kambell, mbetet gur themeli që përplas cinizmin e pushtetit me brishtësinë e ndërgjegjes…
…Ajo që e bën “Buzë Errësirës” të jashtëzakonshëm është shtrirja e tij psikologjike. Filmi nuk merret vetëm me një komplot bërthamor apo me përplasjen mes individit dhe pushtetit; ai zbret thellë në psikikën e personazheve, te frika, paranoja, dhimbja, faji dhe obsesioni. Një detektiv nuk ndjek thjesht gjurmët e vrasjes së së bijës; ai përballet gradualisht me traumën e humbjes dhe me një të vërtetë që kërcënon të shkatërrojë gjithçka ku ka besuar. Pikërisht kjo e bën filmin jo vetëm një thriller politik, por edhe një dramë të fuqishme mbi mënyrën se si dhimbja njerëzore mund të kthehet në forcë për të kërkuar të vërtetën.
Orfeu në labirintin e plutonit
Nëse e lexojmë si tragjedi moderne, inspektori Roni Kreiven, interpretuar nga Bob Pek, nuk është thjesht një baba që kërkon drejtësi për vrasjen e së bijës. Ai është një Orfe i thyer që zbret në nëntokën e Northmoor-it për të kërkuar të vërtetën mbi atë që u kemi lënë brezave.
E bija, Ema Kreiven, luajtur nga Xhoan Uolli, me aktivizmin e saj të flaktë, është Ofelia e shekullit XX. Ajo nuk mbytet në lumë, por në batakun e një skeme bërthamore të errët. Prania e saj si fantazmë në mendjen e të atit nuk është marifet skenari; është ndërgjegjja që refuzon të heshtë.
Atij i bashkohet figura më enigmatike, agjenti i CIA-s Dariës Xhedbërg, luajtur nga Xho Don Bejker. Xhedbërgu është njëkohësisht kalorësi i Apokalipsit dhe budallai i oborrit – i vetmi që e kupton se Northmoor-i nuk ruhet dot, por vetëm mund të digjet.
Jorkshiri kundër Bostonit
Përplasja mes versionit britanik të vitit 1985 dhe ribërjes amerikane të vitit 2010 me Mel Gibson, drejtuar përsëri nga vetë Martin Kambell, është përplasje vizionesh, jo buxheti. Zhvendosja nga moçalet e lagura dhe minierat e Jorkshirit në rrugët e betonit të Bostonit nuk është thjesht ndërrim harte, por ndërrim shpirti: nga një ankth kolektiv britanik për shtetin, te një ankth individual amerikan për hakmarrjen.
Versioni britanik është një odise atmosferike e Luftës së Ftohtë, me frikën nga rrezatimi dhe dëshpërimin e një babai që bëhet hero tragjik. Muzika-rekuiem e Erik Klaptonit dhe Majkëll Kamenit e vulos këtë.
Versioni amerikan është një thriller aksioni efektiv, por i zhveshur nga mitologjia. Northmoor-i aty nuk është më Hades modern, por thjesht një korporatë e korruptuar e drejtuar nga Xhek Benet, luajtur nga Deni Hjustoni. Ritmi ruhet, por humbet poezia e zymtë; tragjedia ekologjike kthehet në histori hakmarrjeje personale.
Pse na përndjek ende Northmoor-i?
Sot, 40 vjet më pas, seriali është më relevant se kurrë. Northmoor-i përfaqëson çdo institucion që fsheh të vërtetën pas maskës së “përparimit”.
Në episodin e pestë, kur Kreiven dhe Xhedbërg depërtojnë në kompleks, ata nuk gjejnë vetëm pluton; gjejnë një sistem që sakrifikon fëmijët për pushtet. Akti i fundit i Xhedbërgut – të shpërndajë pluton në sallë përpara elitës politike, për t’i detyruar të shohin çfarë kanë krijuar – mbetet një nga momentet më profetike të dramaturgjisë politike.
Në fund, “Buzë Errësirës” nuk është histori spiunësh. Është histori se si një shoqëri, kur humb busullën morale, ndërton katedrale të errëta për të varrosur fajet. Origjinali britanik mbetet një thirrje zgjimi: një Ferr që është shumë më afër nesh nga sa guxojmë të pranojmë.
