Nga Roland Lami
Për disa ditë, Beogradi u bë referenca e preferuar e debateve televizive në Tiranë nga disa analistë. Jo për të kuptuar protestën serbe, por për të parashikuar fatin e protestës shqiptare. Arsyetimi ishte linear: nuk ka lider, nuk ka organizim klasik, regjimi nuk ka rënë, prandaj, protesta nuk prodhon ndryshim edhe në Shqipëri. Dukej si tentativë për analizë krahasuese, por në fakt ishte një analizë selektive.
Nga protestat në Serbia u përzgjodh vetëm ajo pjesë e realitetit që i shërbente tezës së pushtetit. Nuk flitej për qëndrueshmërinë e mobilizimit, për konsumimin gradual të pushtetit, për krizën e legjitimitetit apo për aftësinë e një lëvizjeje qytetare për ta mbajtur regjimin nën presion për tetëmbëdhjetë muaj. Sikur të gjitha këto të mos ishin rezultate politike, vetëm sepse nuk përfundonin menjëherë me largimin e Vuçiçit.
Sot, kur i njëjti mobilizim e detyron Vuçiçin të shpallë dorëheqjen dhe zgjedhje të parakohshme, analogjia nuk permëndet më. Jo sepse Serbia nuk është më një rast interesant, por sepse përmendja e saj ka gjasa të prodhoj të njëjtin rezultat edhe në Shqipëri. Kështu që në fund nuk rezultoi e gabuar protesta në Serbi por rezultoi e gabuar metoda, pasi u analizua një proces i gjatë politik sikur të ishte një ndeshje futbolli, ku vlen vetëm rezultati në tabelë dhe jo loja që e prodhon atë.
Ky është paradoksi i një pjese të debatit tonë publik. Nuk mungojnë shembujt ndërkombëtarë por mungon gatishmëria për t’i ndjekur deri në fund dhe për të kuptuar thelbin e tyre. Ato përdoren me entuziazëm kur konfirmojnë bindjet apo interesa të caktuara politikë dhe harrohen me të njëjtin entuziazëm sapo fillojnë t’i përgënjeshtrojnë dhe të prodhoj efekte të padëshiruat. Kjo nuk është analizë krahasuese por përzgjedhje oportuniste e realitetit në shërbim të status quo=s.
Ndoshta ky është problemi i një kategorie analistësh televizivë. Ata nuk i përdorin shembujt ndërkombëtarë për të testuar analizën e tyre, por për të mbrojtur interesa të caktuar të amballazhuar në publik me idenë e euridicionit. Kur faktet u japin të drejtë, shembulli përsëritet pa fund nëpër studio.Madje kalon si kasetë nga njëri te tjetri në cdo debat. Kur faktet i përgënjeshtrojnë, shembulli zhduket sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Mezi po pres të dëgjoj analogjinë me rezultatet që prodhoi protesta në Serbi në ditët në vazhdim. Vall a do ta bëjnë ?
