Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Policia e Shtetit njofton se 14 punonjës të saj janë plagosur si pasojë e sulmeve gjatë protestës.

Përmes një reagimi, u bën thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar.

Policia paralajmëron se përgjegjësit për sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimin e pronës publike e private do të përballen me ligjin.

Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas, ndërsa vijon identifikimi i personave të përfshirë në akte dhune.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas./mxh
