Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me replikat ku është përfshirë me gazetarin e emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Kreu i qeverisë thotë se Fevziu nuk solli asnjë fakt mbi akuzën se shtatë ministra bënin udhëtime private jashtë shtetit në fundjavë duke lënë kaseta me inspektime nëpër televizione sikur janë në punë.
“Në të vërtetë ai braktisi publikun e tij dhe u mor në tym me videot e inspektimeve, përballjet e Trumpit me gazetarët, lirinë e tij për të udhëtuar në Amerikën Latine, gjëra që s’kishin asnjë lidhje me arsyen e me përmbajtjen e reagimit tim. Pa asnjë pendesë për fajin e tij live ndaj publikut, Fevziu u shfaq i çuditur që unë reagova ndaj shpifjes së tij, për të cilën ai në fakt mirë mua, që s’më detyrohet asnjë shpjegim, po publikut të Opinionit duhet t’ia kërkonte një ndjesë për gënjeshtrën me 7 bishta. Dhe për të shpjeguar çudinë e vet, ai tha se gjëra më të mëdha duhet të merrnin vëmendjen time, duke filluar nga “1/3 e Shqipërisë nën ujë” – vendi ynë ka 2,874,800 hektarë nga të cilat uji kishte mbuluar 13,160 hektarë, pra jo 1/3 po 1/217 – apo duke vazhduar me “krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAKUT”, kur në fakt kriza parlamentare e Blendit është thjesht krizë e partisë së liderit të Fevziut dhe çunit të Bahri Falliut, sepse parlamenti është me pushimet e dimrit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë thotë se nuk çuditet duke u shprehur: Poterja gjithçka, e vërteta asgjë.
“Por unë nuk çuditem që Fevziu nuk i kërkon ndjesë publikut të tij për gjithë atë derr gënjeshtre absurde dhe denigruese, ndaj njerëzish që ai nuk ka detyrë t’i respektojë si kundërshtarë, po ka detyrimin të mos i baltosë kolektivisht duke nxitur urrejtje. Nuk çuditem as që i zoti i Opinionit propagandon kundër qeverisë, me të njëjtat marzhe të llahtarshme gabimi në komunikimin e fakteve, si ai i Shqipërisë së mbuluar nga uji në 1/3 – e këtu Fevzo s’është as vetëm, as më i gabuari, po të kesh parasysh ca të tjerë që gënjejnë si derra të knaqun migjenianë ditë e natë. Nuk çuditem nga asnjë çudi e mexhelisit politik e mediatik unë, sepse më shumë se sa të vërtetës që Blendi e synon kur shkruan libra si gazetar, Fevziu i Opinionit i shërben tenxheres së tij të potershme që duhet të bubullojë përnatë, e të gërrgërrojë sa më fort mes 700 tenxhereve simotra, që ziejnë në një garë të marrë se kush shkumëzon më shumë”, tha Rama.
Ndërkohë një ditë më parë përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, Fevziu u shpreh se e ka habitur reagimi i kryeministrit pas kritikave të tij ndaj ministrave në një kohë ku vendi përballet me përmbytjet, zjarrin te tregu i “5 majit” apo krizën politike.
Sa i përket udhëtimeve të tij, për të cilat një ditë më parë ishte ndalur edhe kryeministri Edi Rama, Fevziu tha se është qytetar i lirë dhe e jeton jetën si të dojë ai.
Replikat mes kryeministrit Rama dhe gazetarit Fevziu nisën kur ky i fundit kritikoi gjatë emisionit “Opinion” ministrat për sjelljet e tyre.
Ai shfaqi video nga konferencat e Donald Trump dhe njerëzve më të rëndësishëm të SHBA-ve para gazetarëve dhe pyetjeve të tyre, shoqëruar me montazh të ministrave shqiptarë duke folur para kamerës ku nuk shihet asnjë gazetar apo televizon. Më tej, ai tha se ka të paktën 7 raste të skeduara të ministrave (jo atyre të përfshirë në video) që kanë transmetuar inspektime në ditët e fundjavës, në të vërtetë kanë qenë në udhëtime private.
Pas kësaj reagoi kryeministri Edi Rama, i cili tha se prej vitesh “nuk ka më kaseta në nahijen tonë”, teksa shtoi se është gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur në vend./kb
