Në përvjetorin e ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari ditën e Pavarësisë se Shqipërisë, dhe daljës për herë të parë të UÇK-së qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare kanë vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në këtë ditë, qytetarë të shumtë nga Shqipëria ishin aty për të nderuar komandantin Adem Jashari.
Qytetari nga Tirana, Elidon Gramçi tha për KosovaPress se ky është viti i pestë radhazi që viziton Prekazin për të nderuar familjen Jashari që dhanë jetën për atdhe.
Ai u shpreh se Kosova e Shqipëria është një komb.
“Është viti i pestë radhazi që vij, i nderojmë dëshmorët e atdheut, jemi një. Për të nderuar familjën Jashari sepse kanë dhënë jetën e tyre, një festë është, është dhe ajo e Vlorës, por është dhe kjo këtu”, tha ai.
Qytetari tjetër, nga Elbasani Fitim Beqiri shpreson që një ditë Shqipëria e Kosova të bëhen një komb.
Me emocione të shumta, Beqiri i cili vizitoi për here të parë Prekazin, u ndje krenar për familjen Jashari.
“Ndiej një krenari të madhe, jam për here të parë këtu për fisin e Jasharëve, kam emocione, kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës. Ishalla arrisim një ditë që të bashkohemi të bëhemi një komb, trojet etnike shqiptare”, tha Beqiri.
Veterani nga brigada 111 “Tigrat e Zi” Bekim Shyti shtoi se kjo festë e veçantë bashkon shqiptarët nga Leposaviçi e në Vlorë. m.p.
