Last Updated on 28/06/2025 by adminfjala
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte në Kalabri, ku u takua me komunitetin arbëresh të rajonit në komunat: Andali, Marceduza, Cervicati, Mongrassano, Platacci, Santa Caterina Albanase Frascineto, San Demetrio Corone, San Benedetto Ullano, San Cosmo Albanese, Castroregio dhe Cerzeto.
Presidenti Begaj e konsideroi komunitetin arbëresh në Itali si urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Italisë, midis të kaluarës dhe të ardhmes, midis identitetit dhe integrimit të plotë të shoqërisë sonë.
“Këtu gjithçka flet për një lidhje të përjetshme, që bashkon në mënyrë të pandashme Shqipërinë dhe Italinë, dy kombe që kanë rrënjë të përbashkëta, ideale të përbashkëta dhe një histori të gjatë, një histori të gjatë dashurie, miqësie dhe vëllazërie”, theksoi Kreu i Shtetit. Presidenti i Republikës në takimet e tij me arbëreshët nxiti përcjelljen e historive familjare të trashëguara brez pas brezi për të mbajtur gjallë këtë pasuri kulturore unike.
“Mos harroni se çdo herë që një fëmijë dëgjon një fjalë në arbërisht, çdo herë që një gjysh apo gjyshe i rrëfen në gjuhën arbëreshe fëmijëve, ringjallet tek ta diçka shumë e çmuar. Arbërishtja rifillon të jetojë dhe të ringjallet. Ju jeni rrënjët, ndërsa fëmijët dhe nipërit tuaj janë filizat, filizat e të ardhmes së Kalabrisë, të Shqipërisë dhe Italisë”.
Duke përmendur figura të rëndësishme të letërsisë, kulturës dhe politikës arbëreshe, Presidenti i Republikës u shpreh se tek arbëreshët ai sheh rojtarët më të mirë të shpirtit identitar, të gjuhës, kulturës dhe riteve fetare.
“Gjithçka këtu më bën të mendoj se gjuha jonë, gjuha arbëreshe, gjuha shqipe, ka rojtarët e vet këtu në Kalabri”.
Presidenti Begaj u ndal dhe në angazhimin e përbashkët të institucioneve të të dyja vendeve për të paraqitur në UNESCO dosjen e “Motit të madh”, një mënyrë e mbrojtjes së kësaj pasurie kulturore gjuhësore dhe ruajtje e riteve fetare, së bashku me kostumet plot ngjyra e gjallëri si pasuri jomateriale e njerëzimit./kb