Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin, përpara zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, duke theksuar se procesi zgjedhor “nuk është një luftë civile”.
Herzog deklaroi se izraelitët duhet të qëndrojnë të bashkuar për ndërtimin e shtetit hebre dhe shprehu shqetësim për rritjen e numrit të qytetarëve, që po largohen nga vendi.
Sipas një studimi të Universitetit të Tel Avivit, më shumë se 268 500 qytetarë izraelitë, u larguan nga vendi për të paktën tre muaj gjatë periudhës 2023–2025, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani. Mes tyre ka mjekë, inxhinierë dhe akademikë.
Sondazhet tregojnë se as kampi i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as opozita nuk pritet të sigurojnë lehtësisht shumicën parlamentare.
Izraeli po përballet, që prej fundit të vitit 2022, me tensione të forta politike dhe shoqërore, të nxitura nga reformat e debatueshme në drejtësi, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe konfliktet ushtarake që pasuan në rajon./mxh
