Bad Bunny na tregon edhe një herë se dalja në skenën e Super Bowl nuk ishte thjesht një performancë spektakolare, por edhe një moment shumë personal për të. Artisti nga Puerto Rico zbuloi se kishte vendosur ta kthente atë mbrëmje në një homazh për xhaxhain e tij të ndjerë, të cilin e njihte me nofkën “Kutito”.
Për këtë arsye, ai zgjodhi një veshje të veçantë, të realizuar enkas për atë event, por nga një brand mjaft i njohur dhe ekonomik si Zara, ku në pjesën e pasme ishte shënuar mbiemri i tij dhe numri 64. Ky detaj nuk ishte i rastësishëm numri përfaqësonte vitin 1964, vitin kur kishte lindur xhaxhai i tij.
Këngëtari ka rrëfyer se xhaxhai kishte ndikuar shumë në jetën e tij, sidomos duke i kultivuar dashurinë për futbollin amerikan. Sipas tij, një nga dëshirat më të mëdha kishte qenë ta çonte në një Super Bowl, por kjo nuk u bë e mundur, pasi ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur.
Duke qenë se nuk arriti ta realizonte atë ëndërr, Bad Bunny vendosi ta përfshinte simbolikisht në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Ai tha se përpara se të ngjitej në skenë, ia dedikoi performancën xhaxhait, me bindjen se ai ishte “aty” në shpirt dhe do të ishte krenar për të.
Ky rrëfim prekës mori reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e vlerësuan si një gjest të sinqertë dhe plot ndjenjë./mxh
