Last Updated on 07/05/2026 by Monika
Situata mes Romelu Lukakut dhe Napolit vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa sulmuesi belg është jashtë planeve të skuadrës.
Problemet nisën pas vendimit të lojtarit për t’u stërvitur në Belgjikë në fund të muajit mars, pa miratimin e klubit dhe stafit mjekësor të Napolit.
Lukaku synonte rikuperimin fizik dhe përgatitjen për Botërorin 2026, por situata është komplikuar edhe në kombëtaren belge. Trajneri Rudi Garcia kërkon garanci për gjendjen fizike të sulmuesit dhe dëshiron që ai të luajë të paktën një ndeshje zyrtare para një vendimi për grumbullimin.
Aktualisht duket e vështirë që Lukaku të rikthehet në fushë me fanellën e Napolit. Edhe pse ka pasur një takim pajtues me Antonio Conten, raportet mes palëve mbeten të ftohta.
Sulmuesi nuk pritet të jetë pjesë e skuadrës ndaj Bolognas, ndërsa mund të ketë minuta ndaj Pisas ose Udineses. E ardhmja e belgut duket larg Napolit, me interesime nga Arabia Saudite dhe disa klube të Premier League./mxh
