Last Updated on 04/11/2025 by EL
Në projektbuxhetin e vitit 2026, fondet më të larta i janë akorduar Ministrisë së Shëndetësisë, e cila do të ketë një buxhet prej 820 milionë eurosh, me një rritje prej 20 milionë eurosh krahasuar me një vit më parë. Po aq është edhe rritja për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të administrojë një fond prej 770 milionë eurosh.
Ndër ministritë me rritjen më të madhe të fondeve renditet Ministria e Mbrojtjes, e cila për vitin 2026 do të ketë në dispozicion 589 milionë euro, nga 487 milionë euro që kishte në 2025, një shtesë prej 100 milionë eurosh.
Në relacionin shoqërues të buxhetit theksohet se kjo rritje synon të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura, përmirësimin e infrastrukturës ushtarake, pajisjen me armatim të ri në përputhje me standardet e NATO-s, si dhe pjesëmarrjen më aktive në misionet ndërkombëtare. Po ashtu, parashikohet forcimi i kapaciteteve për menaxhimin e emergjencave civile dhe rritja e transparencës dhe integritetit në Forcat e Armatosura.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë do të ketë një buxhet prej 162 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 14 milionë eurosh në krahasim me vitin 2025.
Nga ana tjetër, disa institucione do të kenë ulje të lehtë të fondeve, si Presidenca, me 5.9 milionë euro nga 6 që kishte më parë, dhe Kuvendi, me 19 milionë euro nga 20. Në të kundërt, Kryeministria do të ketë një rritje prej 3.4 milionë eurosh, duke përfituar një buxhet total prej 12.5 milionë eurosh për vitin e ardhshëm.
Në këtë projektbuxhet të vitit të ardhshëm, qeveria ka planifikuar që investimet publike të arrijnë në 179.6 miliardë lekë, ose 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo shumë përfshin edhe 5 miliardë lekë nga fondi i rindërtimit, si dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme nga Plani i Rritjes me Bashkimin Evropian, të cilat do të realizohen mbi bazë projektesh konkrete./e.t
