Last Updated on 28/10/2025 by EL
Nga Shpëtim Luku
Gjin Gjoni ka hedhur idenë e grumbullimit të 15-20 mijë vetëve për të rrethuar Kryeministrinë derisa kryeministri Rama të “dorëzohet”. I pavetëdijshëm për përmasën e idiotësisë së këtij propozimi, ai e përsëriti idenë me krenarinë e dikujt që beson se ka bërë një shpikje brilante, ndërkohë që në thelb ajo është thjesht një ide… idiote.
Si një prurje e re në politikë, por një njeri i improvizuar në këtë profesion, Gjoni duhet ta dijë se politika nuk është fushë për improvizime të tilla, sikurse mund të jetë kalimi nga agronom apo veteriner në jurist. Në politikë, njësia matëse është besimi dhe simpatia e elektoratit, të cilat fitohen përmes qëndrimeve, fjalëve dhe veprimeve që përfaqëson. Dhe këto, në fund, verifikohen ditën e votimeve.
Propozime të tilla, si ai që bën deputeti i ri i PD-së, i përjashtuar më parë nga sistemi i drejtësisë, tregojnë një konceptim të politikës si një profesion matrapazësh, ku gjithçka blihet e shitet. Por nëse e bazon aksionin politik në këtë mënyrë, pse nuk mund ta zbatojë të njëjtin skenar edhe kundërshtari yt kur të jetë në opozitë? Nëse pushteti merret kaq lehtë, thjesht duke mbledhur 15 mijë vetë me pagesë, ku secili deputet kontribuon nga 1.500 euro për byrekë e sufllaqe, atëherë ky bëhet një skenar i mundshëm për këdo, qoftë për partinë e Tom Doshit apo të Agron Shehajt.
Por politika nuk është kjo. Politika është konsistencë, koherencë, moral, ndershmëri, integritet, simpati. Dhe këto nuk fitohen me turma të paguara, por verifikohen një herë në katër vjet, në kutitë e votimit./e.t
