Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, komentoi mbi skenarët e mundshëm të protestës së opozitës, e cila është paralajmëruar për 20 shkurt.
Gjoni deklaroi se kjo protestë pritet të jetë më e fuqishme se ato të mëparshmet, duke marrë në konsideratë të gjitha variantet e veprimit, nga forma simbolike të rezistencës deri te përshkallëzimi i aksionit politik.
“Protesta e datës 20 shkurt do të jetë shumë më e fuqishme se protestat e mëparshme. Nga mënyra e skenarit, strategjia dhe gjithçka tjetër, do të jetë komplet ndryshe, sepse temperatura po rritet. Nuk thuhet kot… Mund të ndizet edhe ‘zjarri Partizan’. Të gjitha skenarët po merren në konsideratë. Por duhet të kemi parasysh edhe gazetarët dhe opinionin publik. Nuk mund të shkojmë në ekstremin e një proteste nëse nuk kemi një zgjidhje në fund,” u shpreh Gjoni.
Ai theksoi se protesta e 20 shkurtit synon të jetë një moment i ri për aksionin opozitar dhe një mënyrë për të rritur presionin politik ndaj qeverisë, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
“Patjetër që do të ketë zgjidhje. Nuk do të jetë vetëm një qëndrim në shesh; do të ketë edhe rrethim të institucioneve, greva urie të deputetëve dhe skenarë të tjerë. Synimi është që mesazhi të arrijë tek kancelaritë perëndimore, opinioni publik shqiptar dhe mediat ndërkombëtare. Në këtë situatë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar nga niveli i kriminalitetit, korrupsioni dhe kapja e shtetit,” shtoi ai.
Gjoni gjithashtu nënvizoi se kjo protestë është fillimi i një serie aksionesh dhe se Partia Demokratike do të garantojë sigurinë e protestuesve dhe të policisë, duke paralajmëruar se nëse situatën e merr në dorë vetë populli, kryeministria mund të përfundojë “shkrumb e hi”.
