Last Updated on 28/02/2026 by Anisa
Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ka folur për protestën që opozita do të mbajë mbrëmjen e sotme në orën 18:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Berisha tha se do të ketë revoltë dhe kryengritja do të njohë dimensione të reja, deri në largimin e Ramës nga pushteti.
“Sigurisht që do ketë revoltë. Kryengritja jonë paqësore do njohë dimensione të reja dhe është pandalshme gjer në largimin përfundimtar të Edi Ramës. Dhe ju e patë se si në fjalën e tij tejkaloi edhe kohëzgjatjen e fjalimeve të Gedafit dhe Fidel Kastros në OKB. Por në fakt, në qoftë se e rikthen pak, kishin përpara shqiptarët një kufomë politike të pakallur. Kështu që ne do ta kallim atë dhe do i japim vendin që meriton”, tha kreu i PD-së.
Kujtojmë që ndryshe nga protestat e tjera, sot nuk do të ketë fjalime, pasi sipas mediave demokratët do flasin më shumë me akte.
Po ashtu bëhet me dije se qarkullimi i mjeteve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit vijon normalisht, pasi organizatorët e protestës së PD nuk kanë vendosur podium.
Gjithashtu raportohet se dyert e Kryeministrisë janë blinduar, ndërkohë është mbuluar dhe instilacioni i dritave.
Mediat shkruajnë se revolta e opozitës pritet që të jetë kryeministria, por organizatorët nuk kanë mohuar që të zhvendosen në institucione të tjera, ku në protestat e shkuara janë përqendruar tek godina e Parlamentit.
