Për presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ka dy përgjegjës për nxitjen e protestave të fundit që përfshinë vendin. Ata janë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, njerëz të pafajshëm u përdorën për të vrarë forca ushtarake dhe për t’i vënë flakën çdo gjëje që u dilte përpara.
“Qoftë Trump, qoftë Netanyahu, qoftë evropianët, të gjithë kërkuan të provokonin, të krijonin përçarje. Një numër njerëzish të pafajshëm i nxorën në rrugë dhe i nxitën se ky vend duhet të copëtohet…, për të krijuar konflikt dhe urrejtje midis njerëzve. Për të krijuar përçarje. Në asnjë protestë normale njerëzit nuk marrin armë. Ata nuk vrasin forca ushtarake. Ata nuk i vënë flakën ambulancave. Ata nuk i vënë flakën pazarit”.
Megjithatë, presidenti iranian paralajmëroi se Khamenei do t’i neutralizojë gjithmonë komplotet.
“Ne jemi gati të dëgjojmë. Është detyra jonë të ulemi me ta dhe të zgjidhim problemet e tyre. Por të gjithë e dinë se çështja nuk ishte vetëm protesta shoqërore. Ata provokuan, po kërkonin dhe janë duke kërkuar ta copëtojnë shoqërinë. Prania e udhëheqjes së Ajatollah Ali Khamenei i ka neutralizuar këto komplote dhe do t’i neutralizojë gjithmonë ato”.
Tensionet SHBA-Iran u rritën pas një shtypjeje të përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet e tij në javët e fundit. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka pranuar publikisht mijëra vdekje gjatë protestave.
Ndërkohë, një ditë më parë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Irani po kërkon një marrëveshje. Presidenti amerikan i bëri sërish thirrje Teheranit të heqë dorë nga programi bërthamor për të shmangur sulmin ushtarak amerikan. Ai ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse Irani do të vazhdojë të vrasë protestues./kb
