Aditya Chakrabortty
Për shumicën e politikanëve dhe gazetarëve, përgjigjja pothuajse për çdo pyetje është të shohësh lart. Jo nga hëna, yjet apo majat e oxhaqeve, por nga udhëheqësit: njerëzit që ulen në krye të institucioneve, ushtrojnë pushtet dhe përcaktojnë vijën që të tjerët ndjekin. Kreu i shtyllës totemike është pika e vetme e fokusit dhe historitë që vlejnë zakonisht vijnë nga lartësitë e pushtetit.
Nëse e përkul qafën mjaftueshëm pas, Davosi nuk është më një panair bisedash në një resort zviceran skish, por një grumbullim liderësh botërorë; fluturimi i Keir Starmer-it drejt Pekinit kthehet në një samit fuqish të mëdha; madje edhe pyetja se kush duhet të jetë deputeti për Gorton dhe Denton, në thelb, lidhet me drejtimin e Partisë Laburiste. Për këtë shkrim, bibliotekarët e kërkimit të Guardian-it numëruan sa herë shfaqeshin fjalët “leader” apo “leadership” në shtypin britanik. Vetëm gjatë javës së fundit, shifra e përafërt arrin në 2,000. Një e treta e këtyre historive kanë të bëjnë me një njeri të vetëm: Donald Trump.
“Dimë shumë se si dukej Greqia e shekullit të pestë për një qytetar athinas,” vërente EH Carr në veprën e tij klasike Çfarë është historia?, “por pothuajse asgjë se si dukej ajo për një spartan, një korintas apo një teban – për të mos përmendur një persian, apo një skllav ose një banor tjetër joqytetar në Athinë.” Gjashtëdhjetë e pesë vjet më vonë, lajmet tona të përditshme mbeten Athinë nga mëngjesi në darkë, me zor se dëgjohet ndonjë zë spartan.
Deri në një javë si kjo, e cila na kujton se pushteti nuk u përket vetëm të pushtetshmëve. Mjafton të shohësh çrregullimin që Minneapolis-i, një qytet me pak më shumë banorë se Croydon-i, i shkaktoi Trump-it, kreut të superfuqisë së vetme botërore.
Pas muajsh rezistence nga banorët e Minesotës, shefi i emigracionit të presidentit, Gregory Bovino, është detyruar të largohet nga qyteti. Drejtuesja e sigurisë së brendshme të Trump-it, Kristi Noem, përballet ose me shkarkimin ose me proces shkarkimi (impeachment). Anëtarë kyç të ekipit të tij po shqyejnë njëri-tjetrin. Dhe politika e brendshme emblemë e republikanëve – terrorizimi i qyteteve multikulturore demokrate nga mijëra mercenarë bullizues, të maskuar dhe të armatosur sikur po shkojnë në Basra – tashmë kundërshtohet nga një shumicë e qartë e amerikanëve.
Po t’u lihej liderëve konvencionalë, kjo nuk do të kishte ndodhur. Vetëm javën e kaluar në Uashington, një numër vendimtar përfaqësuesish demokratë sfiduan partinë e tyre për t’u rreshtuar me Trump-in dhe për të derdhur më shumë para në goditjen ndaj emigracionit. Vetëm javën e kaluar në Davos, mijëra drejtuesit më të paguar në botë – miliarderë si Stephen Schwarzman, i cili fiton për një orë më shumë se sa fiton një amerikan mesatar për një vit – u rreshtuan me bindje për të dëgjuar Ego-n Portokalli të llomotiste. Përballë përzierjes klasike të administratës mes karotave dhe kërcënimeve, perandoritë mediatike të SHBA-së, universitetet e saj më të mira dhe firmat kryesore ligjore u palosën si origami.
Trump-i pa dyshim priste të njëjtën gjë edhe në Midwest-in e akullt. Në vend të kësaj, trupat e tij u përballën me një kundërpërgjigje jo të dhunshme. Dhjetëra mijëra njerëz në Minneapolis dhe Saint Paul dolën javë pas jave në protesta, edhe kur ishte aq ftohtë – shkruante një reporter – sa nuk mund të mbante shënime: “Boja në stilolapsat e mi ishte ngrirë.” Pavarësisht ekzekutimeve shtetërore që kanë pushtuar lajmet botërore, pavarësisht gazit lotsjellës dhe dhunës, banorët e zakonshëm të Minesotës vazhduan të dilnin.
Kur të tjerë u fshehën për të mos u përballur me gangsterët e emigracionit, fqinjët e tyre u siguruan që ata të kishin ushqim dhe furnizime. Të tjerë vepruan si vëzhgues të ICE-së, duke monitoruar dhunën dhe barbarinë e banditëve të armatosur, rrogat e të cilëve paguhen nga taksapaguesit amerikanë. Shumë prej tyre kanë vazhduar detyrat qytetare edhe pas vrasjes së Renee Good, poete dhe nënë, të cilën punonjës të ICE-së e qëlluan në fytyrë dhe më pas e quajtën “kurvë e ndyrë”; si edhe Alex Pretti-n, një infermier i ekzekutuar nga një bandë prej shtatë agjentësh, gjoja sepse po mbante lart një telefon.
Këta dy njerëz të zakonshëm u vranë nga qeveria e tyre dhe më pas u shpifën prej saj. Trupat e tyre u etiketuan si “terroristë të brendshëm”. Bashkëqytetarët e tyre në Minesotë u sulmuan si një “kryengritje ilegale e organizuar” nga Joe Lonsdale, bashkëthemelues i Palantir-it. Për një gjë ai kishte të drejtë: aktivistët kanë qenë shumë të organizuar, duke ofruar trajnim për të sapoardhurit, duke i kthyer restorantet në spitale fushore, duke drejtuar rrjete të ndërlikuara për të dërguar furnizime te familjet e Minesotës që kishin frikë për sigurinë e tyre. Por kjo nuk është një kryengritje, jo kur nëna që fryjnë bilbila përballen me burra të maskuar me armë, të paguar deri në 50,000 dollarë vetëm për t’u regjistruar në ICE; jo kur një kamerë telefoni përdoret kundër gazit lotsjellës; apo kur protestuesit prangosen dhe tërhiqen zvarrë.
Qendra e kësaj veprimtarie është jugu i Minneapolis-it, i cili doli për herë të fundit në titujt botërorë gjashtë vjet më parë, si vendi ku George Floyd u vra nga oficerë policie. Disa prej atyre që u ngritën në protestat e Black Lives Matter të asaj kohe duket se kanë ringjallur rrjetet e vjetra. Të tjerë vënë në dukje se Minesota kryeson rregullisht matjet e besimit shoqëror: me fjalë të tjera, banorët e saj janë ndër më të prirurit për t’i besuar fqinjit përballë, sesa liderit në majë të piramidës.
Rezistuesit në Minneapolis ofrojnë një shembull të asaj që historiani Moshik Temkin e quan udhëheqje nga poshtë. Në librin e tij të fundit, Luftëtarë, rebelë dhe shenjtorë: Arti i udhëheqjes nga Makiaveli te Malcolm X, Temkin shkruan se nën sundim autoritar, shoqëritë do t’u drejtohen “liderëve që kanë pak ndjekës dhe asnjë pushtet institucional”. Ai jep si shembull rezistencën në Francën e Vichy-t. “Ata mund të mos jenë në gjendje ta quajnë veten hapur liderë, apo ta zbulojnë veten si të tillë, madje as të zbulojnë veten fare. Mund të mos i dimë kurrë as emrat e tyre.” Fuqia e tyre nuk vjen nga ndikimi i drejtpërdrejtë, por nga shembulli.
Përballë përçarjes etnike të mbjellë nga Shtëpia e Bardhë, një numër i konsiderueshëm banorësh të Minesotës kanë treguar fqinjësi. Duke u tërhequr nga agresioni dhe tejkalimi i kompetencave nga togerët e Trump-it, amerikanëve u është ofruar një shembull solidariteti popullor. Beteja e Minneapolis-it nuk ka mbaruar: agjentët e ICE-së ende hedhin gaz lotsjellës nëpër shkolla dhe kërcënojnë protestuesit (“Ngre zërin dhe ta fshij zërin,” thotë një nga bullizuesit para kamerës, nga siguria e SUV-it të tij). Zëvendësuesi i Bovino-s, Tom Homan, nuk është ndonjë përmirësim i madh: ai ndihmoi në krijimin e praktikës së ICE-së për ndarjen e fëmijëve nga prindërit. Por pas një viti në të cilin establishmenti amerikan ka folur për një “ndryshim vibe” dhe për një ortodoksi të re trumpiane, qytetarët në SHBA dhe në mbarë botën mund të shohin se kjo nuk është e vërtetë: se ajo kundërshtohet prej tyre, përballë pajisjeve ushtarake dhe agresionit të pafalshëm.
Këtë javë, Minneapolis-i u ofron atyre që duan të tregojnë historinë e SHBA-së një narrativë tjetër, edhe pse se çfarë do të jetë ajo, pashmangshëm mbetet e paqartë. Për EH Carr-in, rëndësia e çdo presidenti apo e turmave protestuese nuk vendoset njëherë e përgjithmonë, por debatohet përgjithmonë nga ata që kthehen pas me pyetjet e epokës së tyre. Siç shkroi ai: “Historiani nuk i përket së shkuarës, por së tashmes.” Të gjithë ne një ditë do të përbëjmë lëndën e parë të historisë; të gjithë do t’i përkasim së ardhmes. Kjo duhet të na ndryshojë.
Përgatiti për botim: L.Veizi
