CEO-ja e ftohtë dhe e pamëshirshme e interpretuar nga Emma Stone ka shumë për të shpjeguar kur rrëmbehet nga maniaku i teorive konspirative i luajtur nga Jesse Plemons. Por në këtë film, pyetja nëse dikush është alien duket krejt e zakonshme.
Nga Tim Jonze
Emma Stone si një CEO farmaceutike e rrëmbyer, me kokë të rruar, që mund të jetë edhe sundimtarja e një race aliene? Kjo thotë shumë për regjisorin Yorgos Lanthimos, që “Bugonia” është ndoshta filmi i tij më i drejtpërdrejtë deri më sot.
Në këtë ribërje të filmit kult koreano-jugor të vitit 2003, Save the Green Planet!, ne futemi në shtëpinë e rrëmujshme të bletarit Teddy (Jesse Plemons), një teoricien paranojak konspiracionesh, kërkimet e të cilit në internet e kanë bindur se alienët po helmojnë bletët e tij – dhe se vetëm ai mund ta shpëtojë jetën në Tokë nga zhdukja. Ai përfshin kushëririn e tij neurodivergjent, Don (Aidan Delbis), për të rrëmbyer Michelle Fuller (Stone), një drejtuese e suksesshme korporate, kompania e së cilës, Auxolith, duket se i ka shkaktuar nënës së Teddy-t një dëm të parikuperueshëm në të kaluarën.
Stone kënaqet duke sfiduar veten artistikisht për Lanthimos-in, dhe “Bugonia” nuk bën përjashtim: këtu e shohim të goditur pa ndjenja në sediljen e pasme të një makine, ndërsa Don, në panik, i pret tufë-tufë flokët me makinë rroje (Teddy këmbëngul se ajo komunikon me bashkëqeniet e saj aliene përmes flokëve). Deri kur lyhet nga koka te këmbët me krem antihistaminik, ajo duket – po, si një alien.
Stone është e shkëlqyer si shefja e pamëshirshme që përpiqet të përmirësojë imazhin e kompanisë së saj përmes empatisë performative: “mund të largoheni në 5:30”, u thotë punonjësve, përpara se t’u kujtojë se kjo nuk është e detyrueshme dhe se duhet të sigurohen që kanë përfunduar të gjitha detyrat. Por hej, zgjedhja është e tyre! Edhe kur është e lidhur në bodrumin e Teddy-t, ajo përdor çdo marifet të mësuar në majat e korporatës – arsyetim, pazare, madje edhe një pranim fajësie të rremë. Ajo beson vërtet se mund të dalë nga çdo situatë me fjalorin e duhur korporativ.
Por Teddy i djersitur dhe i tensionuar i Plemons-it është kundërshtari i saj i denjë: një njeri i shtyrë aq pranë greminës sa asnjë retorikë e butë – madje as prova të forta – nuk e largon nga misioni i tij. Me këtë lloj personi nuk arsyetohet. Kushdo që ka qenë në rrjetet sociale në dekadën e fundit do ta njohë menjëherë.
Filmi luan me simpatitë tona. Një CEO e ftohtë nuk është mikja jonë, por as nuk duam ta shohim të nënshtrohet ndaj “testeve” gjithnjë e më të çmendura të Teddy-t. Ky i fundit duket se e ka mendjen të trazuar nga dhimbja dhe nga një e kaluar e nënkuptuar me abuzim seksual në fëmijëri, por refuzimi i tij kokëfortë për të dëgjuar çdo gjë që nuk përforcon bindjet e tij është rraskapitës. Vetëm Don, i manipuluar mizorisht si nga Teddy ashtu edhe nga Michelle, ka vend për dyshim. Në universet e çuditshme të Lanthimos-it, ai duket si një përjashtim i rrallë: një njeri i vërtetë me zemër.
Kthesa ishte e pashmangshme. Teddy zbulohet se ka masakruar disa të pafajshëm në kërkim të Andromedanëve – por për Michelle ai ka të drejtë. Ajo i përket vërtet një race të largët aliene. Në fakt, ajo është perandoresha e tyre. Qeniet njerëzore ekzistojnë sepse Andromedanët i krijuan si një “ndjesë” për zhdukjen aksidentale të dinosaurëve (ups!). Por diçka duket se ka shkuar keq me projektin, sepse kjo specie duket e vendosur të shkatërrojë veten dhe planetin.
“Njerëzit,” përfundon Alien Stone, “janë një projekt i dështuar.” Ndërsa ajo na zhduk me një të shtypur butoni, në Tokë shohim pasojat në një montazh tronditës nën tingujt e këngës Where Have All the Flowers Gone të Marlene Dietrich: nxënës të shtrirë të vdekur në klasë, të dashuruar të shuar në mes të aktit, autostrada me shoferë të pajetë mbi timon. E megjithatë jeta – lulet, zogjtë dhe, po, bletët – lulëzon. Natyra po shërohet.
Filmat e Lanthimos-it shpesh të lënë të hutuar, duke të shtyrë drejt interpretimeve të shumta. “Bugonia” duket më i drejtpërdrejtë. Ai trajton plagë shumë moderne – nga ekocidi korporativ te njerëzit në skajet e shoqërisë që bien në humnerat më të errëta të internetit. Pyetja që mbetet nuk është si ta shpëtojmë njerëzimin nga vetvetja, por nëse njerëzimi ia vlen të shpëtohet. Në vitin 2026, kjo duket një pyetje thellësisht therëse.
Përgatiti për botim: L.Veizi
