Nga Ermal Mulosmani
Nëse bën zgjedhje sot, Edi Rama do të ishte fituesi i padiskutueshëm. Është kaos i vërtetë situata përballë tij: Asnjë bast nuk do të vija për shpërndarjen e votave opozitare por do të vija bast të fortë që, pa një bashkim të tyre, Edi Rama është fitues i padiskutueshëm.
Pra nga pikëpamja elektorale përsëri zoti Rama është i favorizuar absolutisht.
Ky është problem i madh që e tejkalon demokracinë. Demokracia është konceptuar për të zgjidhur probleme jo për tu kthyer në problem. Në këtë rast as zgjedhjet nuk e zgjidhin situatën.
Rama ka qeverisur me një kastë të vogël njerëzish, me një buxhet të stërmadh dhe për një numër të jashtëzakonshëm vitesh. Janë pothuaj të njëjtit përfitues. Dhe përballë tyre të njëjtit humbës. Për 13 vjet.
Duhet të jetë rreth 100 miliardë euro buxheti i menaxhuar prej tij dhe sejmenëve të tij. Edhe një drejtor periferik, në çdo institucion qendror ka bërë pasuri miliona euro. Përveç rrogave, përfitimeve dytësore, tenderave, lejeve, favoreve me pagesë, janë të njëjtit njerëz që janë anëtar bordesh shtetërore në 5 a 6 borde me pagesa të jashtëzakonshme! Dhe këta janë vetëm disa urithë të dorës së tretë por që përfliten nga të gjithë. Një Drejtor Rrugësh shkarkohet nga aty, shkon Drejtor Kesh-i, OST-je, Ujësjellësi, Kadastre, Burgjesh etj etj. Një fiksim i zotit Rama për të njëjtët njerëz.
Shpërdorimet janë vërtetuar në të gjitha institucionet kryesore. Galopante. Spaku vërtetë nuk i ka arrestuar të gjithë banditët e pushtetit por ka dhënë një ndihmë të madhe në krijimin e perceptimit publik për përmasën e vjedhjeve të tyre. Tani të gjithë e pranojnë që këtu është bërë batërdia. Edhe vetë socialistët.
Vidh, shpërdoro, ndaj, përfito. Dhe pastaj përdor paratë e fituara për të blerë pushtetin e ardhshëm. Sistemi dukej i pathyeshëm, Partia e zotit Rama ishte kthyer ekzaktësisht në ata që kishte sharë dikur: “Vidh Shqipërinë për të blerë vota, bli vota për të vjedhur Shqipërinë”.
Puna më e suksesshme e tij në këtë drejtim ishte eleminimi i Opozitës përmes intrigave politike dhe lobimit. Dhe sikur të mos mjaftonte kaq, e ndryshon ligjin elektoral që të mos ketë kurrë kundërshtar që ta mundë.
Bashkëpunimi Krim-Qeveri-Klientë të Biznesit u institucionalizua si një mekanizëm që “çon përpara punën.” Kthimi i trafikantëve në biznesmenë-klientë të preferuar, nuk është parë asnjëherë në asnjë qeveri tjetër si kjo.
Atëherë çfarë të bëjnë këta tjerët që nuk përfitojnë asgjë nga ky pushtet? Të lodhur nga pritja, të fyer nga vjedhja dhe arroganca, ata ulën kokën për shumë kohë.
Por kohëzgjatja në mungesë pushteti dhe sidomos minimi i shpresës ua ka humbur durimin. Do të ishte një kompliment i madh për PD-në nëse ia atribuojmë asaj dhunën barbare, djegiet, shkatërrimin, luftën trup më trup me policinë deri në vetëmohim. Jo, është një grupim njerëzish të revoltuar dhe të pashpresë. Të papërfaqësuar. Prandaj janë nervozë. Sepse u ka humbur shpresa. Dhe shpresën nuk ua kthejnë dot ata që ua kanë bërë pluhur.
Pushteti duhet të ndërrojë. Nuk mundet të jenë të njëjtit njerëz të jenë përfitues dhe përgjithmonë. Edhe nëse janë shumicë.
Edhe Partia mëmë (Partia e Punës) i fitoi zgjedhjet në 1991-shin. Por vendi nuk gjeti stabilitet as për dy javë. Populli nuk e respektoi rezultatin dhe ua bëri të pamundur qeverisjen Fatos Nanos. Zgjedhje të lira ishin. Pushtet legjitim.
Por nuk i bënë punë.
Koha është që Rama të tërhiqet. Nuk vihet paqja sociale për sa kohë PS është në pushtet. Duhet ta kalojë pushtetin tek të tjerë. Të paktën për 4 vjet. Për ta rimarrë ndoshta pas 4 vitesh dhe për ta mbajtë edhe 12 të tjerë. Por, nëse nuk dorëzohet pushteti vështirë që njerëzit ta pranojnë. Edhe sikur Rama t’i fitojë sërish zgjedhjet.
Ka vetëm një problem të madh që e bën të pazgjidhshëm ekuacionin. Te dera pret Spaku. Nuk ka gjah më të majmë për ta sesa Edi Rama. Këtë e di edhe ai. Dhe Spaku është arsyeja e vërtetë që Rama nuk e lë pushtetin.
