Last Updated on 08/07/2026 by EL
Një studim i ri shkencor ka identifikuar të paktën dy nëntipe kryesore të autizmit, të dallueshme jo vetëm nga simptomat klinike, por edhe nga mënyra se si komunikojnë zonat e trurit. Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Neuroscience, mund të hapë rrugën për trajtime më të personalizuara në të ardhmen.
Studimi u drejtua nga neuroshkencëtari Alessandro Gozzi, i Qendrës për Neuroshkencë dhe Sisteme Kognitive në Rovereto të Italisë. Qëllimi ishte të tejkaloheshin klasifikimet tradicionale të autizmit, të cilat bazohen kryesisht në simptomat e pacientëve, për të kuptuar mekanizmat biologjikë që qëndrojnë në themel të çrregullimit.
Sipas studiuesve, një grup personash me autizëm paraqet hipokonektivitet, pra një komunikim më të dobët mes zonave të ndryshme të trurit, ndërsa një grup tjetër shfaq hiperkonektivitet, ku komunikimi mes këtyre zonave është më i lartë se normalja.
Për të arritur në këtë përfundim, ekipi analizoi 20 modele gjenetike të minjve laboratorikë me mutacione të lidhura me autizmin, duke përdorur rezonancën magnetike funksionale (fMRI). Rezultatet treguan se 11 modele kishin hipokonektivitet, ndërsa 9 të tjera hiperkonektivitet.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se secili prej këtyre modeleve lidhej me mekanizma biologjikë të ndryshëm. Hipokonektiviteti shoqërohej me probleme në sinapset, pra në komunikimin mes neuroneve, ndërsa hiperkonektiviteti lidhej me çrregullime në rregullimin e gjeneve ose në funksionimin e sistemit imunitar.
Për të verifikuar nëse këto modele ishin të pranishme edhe te njerëzit, u analizuan të dhënat e 940 personave me autizëm dhe 1.036 individëve neurotipikë. Rezultatet treguan se rreth 24% e personave me autizëm i përkisnin grupit me hipokonektivitet, ndërsa 17% grupit me hiperkonektivitet.
Sipas studimit, personat me hiperkonektivitet kishin tendencë të shfaqnin simptoma më të rënda, veçanërisht në aspektin e ndërveprimit social dhe emocional.
Megjithatë, autorët theksojnë se këto nuk janë të vetmet forma të autizmit. Rreth 59% e pjesëmarrësve nuk u përfshinë në asnjërin prej dy nëntipeve, çka tregon se spektri i autizmit është shumë më kompleks dhe se nevojiten kërkime të mëtejshme.
Sipas studiuesve, ky zbulim mund të shërbejë si bazë për zhvillimin e trajtimeve të personalizuara, të përshtatura sipas mekanizmit biologjik që karakterizon secilin pacient, duke afruar mjekësinë drejt një qasjeje më precize në trajtimin e çrregullimeve të spektrit të autizmit.
