Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi sot gazeta Wall Street Journal.
Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.
Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit. Sellakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.
Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. M.P.
