Nga Abdullah Diku
____
Në një zyrë të vogël shteti, dikur punonte një agronom.
E njihte tokën, bimët, stinët, sëmundjet e bimëve, ujin.
E njihte fshatin më mirë se hartat dhe projektet e shumta.
Kur fermerët kishin ndonjë problem, shkonin tek ai. Kur duhej planifikuar një sezon, ai ishte aty.
Një ditë, u largua. Vendin e tij e mori dikush që nuk kishte as formimin, as përvojën, as lidhjen me tokën. Kishte vetëm një emër në një listë pagesash.
Në fshat, prodhimi filloi të bjerë. Sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve u përhapën më shpejt. Uji nuk u menaxhua siç duhej. Askush nuk dinte të përgjigjej me saktësi pse po ndodhte. U harrua shija e bukës dhe prodhimeve të fshatit. Në treg u shtua importi i produkteve.
Vetë fshati u boshatis…
Në një qytet tjetër, në një zyrë pyjesh, dikur punonin inxhinierë që njihnin terrenin, erën, rrugët e zjarrit, vendet ku rreziku ishte më i madh e ku flakët mund të bënin më shumë dëm.
Edhe ata u zëvendësuan. Dosjet mbetën në tavolina, hartat u mbuluan nga pluhuri.
Kur erdhi vera, zjarri gjeti terren të lirë. Askush nuk e pa që po vinte, askush nuk e ndaloi në kohë. Askush nuk dinte si ta fikë zjarrin. Pylli u dogj.
U justifikua si fatkeqësi natyrore.
Por ajo nuk ishte tillë, por ishte mungesë profesionistësh.
Në një tjetër zyrë, inxhinierët hidro-teknikë merreshin me ujërat. Dikur aty punonin njerëz që dinin se ku fryhej lumi, zonat që përmbyteshin, ku çahej diga, ku bllokoheshin kanalet, ku dhe si funksionin hidrovori. Edhe ata u hoqën nga puna. Projektet mbetën, por mendja që i lexonte u zhduk.
Kur ra shiu, uji bëri atë që kishte bërë gjithmonë: kërkoi rrugën e vet. Vetëm se këtë herë, rruga e vet kalonte nëpër shtëpi, ara dhe rrugë…
Dhe kështu, nga zyra në zyrë, nga fshati në qytet, shteti filloi të humbiste atë që nuk shihet në lajme: aftësinë për të menduar profesionalisht. Njerëzit e dijes u zëvendësuan nga njerëz të përkohshëm. Institucionet mbetën në këmbë, por u zbrazën nga brenda. U gërryen prej mungesës së profesionistëve.
Rezultati sot shihet në çdo sezon:
– më pak prodhime,
– më shumë zjarre,
– më shumë përmbytje,
– më shumë varfëri,
– më shumë braktisje të vendit, dhe, më shumë të pashpresë…
Jo sepse vendi nuk ka pasuri, por sepse ka humbur kujtesën e vet teknike dhe profesionale.
Ky është çmimi i një shteti që e trajton administratën si karburant elektoral dhe jo si trupë profesionale.
Dhe ky çmim paguhet çdo vit, nga të gjithë.
Diku me djegie pyjesh, diku me përmbytje e diku tjetër me falimentim të fermerëve…
Ndaj ska asgjë për tu çuditur më, nëse fatkeqësi të tilla po shohim e do shohim gjithnjë e më shumë.
Mos prisni për më mirë
Jemi bosh, në përmbajtje e formë…
