Formula e qumështit për bebe po tërhiqet në disa vende të Europës. Ky vendim vjen për shkak të dyshimit të pranisë së një toksine të quajtur cereulide, e prodhuar nga bakteret Bacillus cereus, që mund të shkaktojë sëmundje të tretjes si të përziera dhe të vjella.
Kompania Nestle ka tërhequr qindra produkte nga linjat e saj të formulës së foshnjave (SMA, BEBA, NAN etj.) në më shumë vende të Europës, si Austri, Francë, Gjermani, Britani, Irlandë dhe të tjera, për shkak të rrezikut të kontaminimit me cereulide, e raportuar edhe si një nga tërheqjet më të mëdha të një produkti në historinë e kompanisë.
Danone gjithashtu ka tërhequr disa lloje të formulës së qumështit të prodhuar në Irlandë, sidomos markat e njohura si Aptamil apo Nutrilon, për të njëjtat arsye.
Edhe prodhues të tjerë, përfshirë Vitagermine (Babybio), kanë tërhequr lloje të caktuara të formulës së qumështit për bebe si masë paraprake.
Autoritetet në Francë kanë nisur hetimet për dy raste vdekjesh të foshnjave që kishin konsumuar formula qumështi nga llojet e të tërhequra, megjithëse ende nuk është konfirmuar lidhje shkakësore midis konsumit të formulës dhe rastit.
Toksina cereulide prodhohet nga lloje të bakterit Bacillus cereus dhe është rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se nuk shkatërrohet gjatë përgatitjes së formulës me ujë të valuar, që në nivele më të larta për shkak të konsumit mund të krijojë rrezik për simptoma gastrointestinale te foshnjat./mxh
