Kur vjen dhjetori, gjithçka ngadalësohet. Zyra boshatisen, takimet anulohen. Për disa, kjo pauzë është çlirim. Për shumë të tjerë, është momenti kur vetmia del në sipërfaqe, e zhveshur nga zhurma e përditshme që gjatë vitit e mbulon. Ajo që e bën vetminë gjatë festave veçanërisht të rëndë nuk është izolimi në vetvete, por kontrasti brutal mes pritshmërisë dhe realitetit. Shoqëria na thotë se kjo është koha e gëzimit, e tryezave plot dhe e dashurisë. Kur jeta jonë nuk i ngjan këtij rrëfimi, boshllëku ndihet edhe më fort.
Psikoterapistja amerikane Victoria Grinman shpjegon se një nga nxitësit kryesorë të vetmisë në këtë periudhë është presioni i krahasimit, bindja se “të gjithë të tjerët po kalojnë festa perfekte”. Kjo ndjenjë rihap plagë të vjetra, marrëdhënie familjare të pazgjidhura, humbje, pritshmëri që nuk janë përmbushur kurrë, të cilat festat i bëjnë edhe më të dukshme. Puna na jep strukturë, identitet dhe kontakte të vogla sociale të përditshme. Kur kjo strukturë bie, heshtja bëhet shqetësuese. Një studim tregon se gati 74% e beqarëve punojnë edhe të dielave vetëm për të mos u ndjerë vetëm, ndërsa 65% e përshkruajnë të dielën si ditën më të vetmuar të javës. Nuk është çështje produktiviteti, është shmangie e vetmisë.
Ky fenomen shtrihet shumë më gjerë. Rreth 45% e punëtorëve pranojnë se ndihen të izoluar, një shifër që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe medias. Të qenit i zënë nuk do të thotë të jesh i lidhur emocionalisht. Shumë njerëz janë të rrethuar nga mesazhe dhe takime, por nuk kanë një “bazë emocionale” ku të ndihen vërtet të parë dhe të dëgjuar. Sipas ekspertëve, rreth 61% e amerikanëve përjetojnë trishtim ose vetmi gjatë festave, dhe shumë prej tyre do të donin t’i anashkalonin fare. Epidemia e vetmisë nuk ndalet në dhjetor, ajo thjesht humb maskimin.
Festat e fundvitit e thellojnë vetminë sepse nxjerrin në pah hendekun mes asaj që “duhet të jetë” dhe asaj që realisht është jeta jonë. Zgjidhja nuk është optimizmi i detyruar. Psikologët sugjerojnë ndërtimin e qëndrueshmërisë emocionale, përmes zgjedhjeve të vogla, por të qëllimshme: Sidomos tek të rinjtë, festat tradicionale me alkool dhe biseda formale shpesh rrisin ankthin. Një trend i ri po fiton terren, komunitetet e bazuara në lëvizje, vrap, yoga, palestër, ecje në grup. Ato ofrojnë lidhje pa presion për të “performuar”.
