Last Updated on 07/10/2026 by EL
Në Prishtinë, që mbrëmë fiks në mesnatë, ka nisur një ‘dasmë’. Por nuk po na vjen njeri në dasmë!
Kështu mund të perceptohet ai gëzim që shpërtheu në Prishtinë. Ne ‘të familjes’, ose ‘barku i Shën Mërisë’, e shikojmë këtë skenë boshatisjeje dhe prandaj kemi lëshuar thirrjen ‘hajde të gjithë, që të duket se ka shumë dasmorë ’.
Në fakt jemi vetëm ne ‘të të njëjtës familje’, andej e këndej kufirit. Të tjerë, heshtje, ‘asnjë fjalë, asnjë dërgesë’. Të tjerë, po them për kancelaritë e Europës dhe të Perëndimit gjerë. As Franca, as Gjermania, as Britania e Madhe, as Italia, Sllovakia- jo e jo, as Çekia e as Kroacia shumë mike…
Ngjarja ishte e nivelit të lartë, sa për të zgjuar nga ‘varri edhe Doruntinën’. U zgjodh Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Justina Shiroka- Pula.
Ngjarja merr ngjyra epike për disa arsye shumë të thjeshta njerëzore:
Që nga fillimi i vitit 2025 (tani jemi 2026), shkurt ishte, në Kosovë janë mbajtur katër herë zgjedhje parlamentare. Të gjitha me synim për të humbur, me qëllim që të mbahen zgjedhje të tjera. Të gjitha me një sebep: “Të zgjidhet Presidenti i Kosovës!’.
Nuk ngeli mik në botë pa u lutur pranë qeverisë së Kosovës: ‘Zgjidheni presidentin, formoni institucionet e shtetit, ju lënçim zotin bëjeni!’.
Në Kosovë thurej sfida kundër miqve të vërtetë të Europës dhe Amerikës, që u bënë garant për shtetin e ri të Kosovës 18 vjet më parë. Tani që u zgjodh presidentja vetëm 13 minuta pas afatit dhe pas mesnatës, s’ka më asnjë zë. U zgjua vetëm nëpunësia shqiptare, dhe ‘o burra, një fjalë në Prishtinë’. Me qëllim që të dukej se dasma nuk ishte bosh. Pas kryeministrit dhe presidentit në Tiranë, u rreshtuan ministra, kryetarë, të tjerë e të tjerë… Përveç Flamingove.
Ose më duket mua sikur ishin shumë ‘të Shqipnijes’, ngaqë bota tjetër perëndimore nuk u duk. Vetëm zoti Dirk Schubler, ambasador i BE në Prishtinë lëshoi një deklaratë se ‘jemi gati të bashkëpunojmë’. Edhe ky le për të dyshuar nëse Kosova e do apo nuk e do bashkëpunimin.
Pse nuk reagoi Europa, as Perëndimi pas zgjedhjes së Presidentes?
Përgjigja e parë dhe e tërë:
Sepse sot është njësoj siç ishte dje, përveç valleve të UÇK në oborrin e qeverisë në vend të protestave të tyre dje. UÇK kishte kërkuar votimin e një ligji që ‘zhbën Gjykatën Speciale në Hagë’, e cila dënoi katër udhëheqësit e saj me rreth një shekull burgim. Qeveria Kurti bëri naze, por mbrëmë e votoi me gëzim. Atëherë këta i dhanë votat për presidenten.
Europa e shikonte se po bëhej pazar, ‘më jep këtë, të të jap atë’. S’ka aromë shtet.
UÇK humbi edhe në Pazar. I dha Albin Kurtit një presidente, por nuk mori asgjë. Mori një balonë me ajër. Balona mund të shpohet shpejt dhe del se nuk ka as realitet, as Hashim Thaçi me shokë, as anulim dënimi, as liri për ata.
Shfuqizimi mbrëmë në Parlament nuk ka vlerë. Ligji Nr. 05/L-053 u miratua po nga Parlamenti i Kosovës në gusht 2015. Kosova mund ta shfuqizojë ligjin, por vetëm për vete. Nuk ka efekt në Hagë. Ka një sërë marrëveshjesh me Bashkimin Europian, që nuk e lejojnë. Sepse ka probleme me proceset që janë në duar. Sepse kanë punë viktimat që kanë të drejtë të gjykohen. Dhe më në fund, kanë të drejtë udhëheqësit e Kosovës që të gjykohen në Apelin e Gjykatës që i ka dënuar.
Një gjykatë e ‘fshirë’ nga faqja e dheut, a mund t’u japë të drejtë udhëheqësve?!
Po të gjykohet si element psikologjik, i bie që anëtarët e Parlamentit në Kosovë nuk e kuptojnë çfarë bëjnë. Po të gjykohet si element i përkrahjes së UÇK, ky veprim ‘i brohoritur’ i Parlamentit të Kosovës, ‘i varros’ përfundimisht heronjtë e UÇK.
Ndërsa politikisht do të thotë se Kosova hyn në një betejë të ligë me Europën. Mund të nisë një stinë e ftohtë akull, për të cilën do të paguajnë qytetarët e Kosovës dhe autoriteti i shtetit. Më e pakta mund hyjë në izolim dhe të quhet ‘shtet jo serioz’.
I vetmi i fituar është Albin Kurti, më i mallkuari nga kundërshtarët. Ai mori të gjitha pushtetet, më në fund edhe presidentin. Por fitoi edhe në pazarin me PDK-në opozitare të UÇK. I dha ajër dhe i mori gjithçka. Kur të ketë rast të shpjegohet në Europë, do t’u thotë:
“Me këta kam të bëj unë, këta janë vetë antieuropianët, jo unë’.
Atëherë si do të vinin në dasmë miq nga Parisi, Berlini, Londra, Roma, ose edhe nga Zagrebi?!
