Last Updated on 09/07/2026 by Kesjana
Valët e të nxehtit nuk prekin të gjithë njësoj. Sipas ekspertëve të shëndetit, gratë janë më të ndjeshme ndaj temperaturave ekstreme për shkak të faktorëve biologjikë, hormonalë dhe socialë, duke u përballur më shpesh me lodhje, marramendje, afshe të nxehta dhe probleme kardiovaskulare.
Mjekja e përgjithshme e NHS-së, Dr. Nighat Arif, shpjegon se nxehtësia ekstreme përbën një “test stresi” për sistemin kardiovaskular të grave. Ndryshe nga burrat, gratë prodhojnë më pak djersë dhe fillojnë të djersiten në temperatura më të larta, duke e pasur më të vështirë të largojnë nxehtësinë nga trupi. Gjithashtu, temperatura bazë më e lartë e trupit dhe përqindja më e madhe e yndyrës trupore ndikojnë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj vapës.
Ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë, perimenopauzës dhe menopauzës e bëjnë edhe më të vështirë rregullimin e temperaturës së trupit. Gjatë menstruacioneve, ulja e estrogjenit dhe humbja e hekurit mund të shkaktojnë lodhje, marramendje dhe dobësi, ndërsa në menopauzë afshet e nxehta dhe djersitjet gjatë natës mund të përkeqësohen ndjeshëm gjatë valëve të të nxehtit.
Edhe gratë shtatzëna konsiderohen grup me rrezik më të lartë. Rritja e nevojave metabolike, ndryshimet hormonale dhe ngarkesa shtesë mbi sistemin kardiovaskular e bëjnë organizmin më të prekshëm ndaj stresit nga nxehtësia, duke rritur rrezikun për komplikacione si për nënën, ashtu edhe për foshnjën.
Ekspertët theksojnë se përveç biologjisë, ndikim kanë edhe faktorët socialë. Gratë shpesh mbajnë barrën kryesore të kujdesit për familjen dhe, në shumë raste, përballen me kushte ekonomike më të vështira, gjë që mund ta bëjë më të vështirë mbrojtjen nga temperaturat e larta. Gjithashtu, duke qenë se jetojnë mesatarisht më gjatë se burrat, ato përballen më shpesh me rreziqet që sjell nxehtësia në moshë të avancuar.
Mjekët këshillojnë që gjatë valëve të të nxehtit të konsumohet sa më shumë ujë, të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta, të përdoren ventilatorë ose mjete freskuese, aktiviteti fizik të kryhet në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje, si dhe të njihen shenjat e lodhjes dhe goditjes nga nxehtësia.
Sipas specialistëve, nevojitet më shumë ndërgjegjësim dhe politika të posaçme për mbrojtjen e grave nga efektet e motit ekstrem. Siç thekson Dr. Arif, “nëse e bëjmë siç duhet për gratë, e bëjmë siç duhet për të gjithë.”/ kb
