Është publikuar projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”. Bizneset që sponsorizojnë veprimtari me interes publik në art, kulturë dhe sport do të mund ta zbresin shumën e dokumentuar të sponsorizimit nga tatimi mbi fitimin. Kufiri i zbritjes do të llogaritet mbi tatimin e vitit të mëparshëm fiskal, deri në 30% të tij.
Skema vendos një tavan prej 30 milionë lekësh në vit për sponsorizimet e çdo biznesi që përfitojnë nga kjo zbritje. Në total, sponsorizimet që mund të përfshihen në skemë kufizohen në 22 mln euro në vit.
“Shuma maksimale vjetore e sponsorizimeve për një sponsorizues, për të cilat zbatohet kjo zbritje, përcaktohet në 30 000 000 lekë, ndërsa vlera totale vjetore e sponsorizimeve, që përfshihen në këtë mekanizëm, nuk mund të tejkalojë 2 000 000 000 lekë”, thuhet në relacionin shpjegues.
Përpara nënshkrimit të kontratës, përfituesi duhet të marrë nga ministria përgjegjëse një vërtetim se aktiviteti është me interes publik dhe zhvillohet në fushën e artit, kulturës ose sportit. Ministria e lëshon vërtetimin brenda 15 ditëve nga dorëzimi i kërkesës së plotë. Për të përfituar zbritjen tatimore, biznesit i duhet autorizimi i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Paratë e marra nga sponsorizimi përjashtohen nga tatimi për përfituesin.
Projektligji lejon donacione dhe sponsorizime edhe në fusha si arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe shërbimet sociale. Çdo sponsorizim do të bëhet me kontratë me shkrim dhe, pavarësisht shumës, do të deklarohet përmes e-Albania në regjistrin kombëtar që do të administrohet nga Tatimet./k.m
Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
