Last Updated on 08/09/2026 by EL
Muhamet Sylisufaj, personi që shihni në këtë fotografi, është punonjësi i Bashkisë Tropojë i cili mesditën e kësaj të marte humbi jetën në krye të detyrës. Ai ishte duke punuar bashkë me kolegët për të vendosur shtylla ndriçimi anës rrugës, kur ranë në kontakt me korrentin.
Familja Sylisufaj në fshatin Gri të Tropojës ka hapur dyert e mortit dhe mes dhimbjes së madhe për ikjen e kryefamiljarit, njofton miqtë dhe të njohurit për pritjet e përcjelljen e Muhametit në banesën e fundit.
58 vjeçari humbi jetën në vendngjarje si pasojë e goditjes nga korrenti, ndërkohë tre kolegët e tij kanë pësuar dëmtime dhe ndodhen në spitalin e Bajram Currit.
Policia e Shtetit njoftoi se në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike.
Si pasojë, shtetasi Muhamet Sylisufaj, 58 vjeç ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
“Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit”, njofton Policia.
